Kryebashkiaku Veliaj pret homologun nga Parma: Krenar për mikpritjen e qytetarëve të Tiranës

“Java italiane” ka sjellë në Tiranë kryetarin e Bashkisë së Parmës, Federico Pizzarotti i cili u prit në një takim nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, për një bisedë lidhur me projektet e përbashkëta në fushën e artit si dhe zhvillimi i disa shfaqjeve teatrale në kryeqytet.

“Ndeshja e djeshme përfundoi me Romën kampione, por në 2 Qershor është festa e Republikës së Italisë, çka përkon me Javën Italiane të Kulturës në Tiranë. Më vjen mirë që nga vendi i Verdit, Parma, do të kemi një shfaqje për Teatrin tonë të Operës dhe Baletit”, njoftoi Veliaj.

Ai vlerësoi sjelljen e tifozëve italianë dhe holandezë gjatë dhe pas ndeshjes, ku nuk pati incidente. “Më vjen shumë mirë që gjithçka shkoi mirë mbrëmë. Të dyja skuadrat krijuan një fair-play, të dyja tifozeritë u sollën në mënyrë të kulturuar dhe ato pak incidente të dy ditëve më përpara, jam i sigurt se nuk do të mbahen mend, kur kam parasysh se sa mirë kaluan njerëzit, se sa pastër u gdhi qyteti”, theksoi ai.

Veliaj shprehu mirënjohjen qytetarëve të Tiranës për mikpritjen e tifozëve, si dhe falenderoi punonjësit e pastrimit që e kthyen qytetin në normalitet menjëherë pas ndeshjes.

SHKARKO APP