Kryemadhi: Detyrim kombëtar t’i kthejmë shpresën dhe t’i garantojmë të ardhmen rinisë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sot në mbyllje të Kampit Veror të LRI-së se pasuria më e madhe e vendit është rinia. Në fjalën e saj, kryetarja e LSI u shpreh se është detyrim kombëtar i çdo qytetari apo politikani për t’i kthyer shpresën dhe për t’u garantuar të ardhmen të rinjve.

“Ne jemi vend i pasur, jo vetë nga burimet natyrore, pasuria jonë më e madhe është rinia. Kjo është arma jonë më e fuqishme dhe pasuria jonë më e madhe. Ne nuk duhet ta lëshojmë kurrë nga dora këtë pasuri të madhe. Këtë bekim kaq të madh që Zoti ja ka dhënë Shqipërisë me këta të rinj dhe të reja ne duhet t’a kthejmë në energji për zhvillimin e vendit”,- u shpreh ndër të tjera kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së u shpreh se është detyrim kombëtar për të mos lejuar largimin e të rinjve dhe intelektualëve nga vendi. “Ne nuk duhet të lejojmë që mjekët, inxhinierët, mësuesit, ekonomistët, të rinjtë dhe të rejat të largohen nga vendi. Nuk duhet t’i lejojmë sepse kjo është humbja dhe varfëria më e madhe që mund t’i ndodhi një vendi”,- tha Kryemadhi.

Kryemadhi tha se për të ardhmen e vendit nuk duhet menduar vetëm për 4 apo tetë vite. “Për të ardhmen e vendit duhet të mendojmë më shekuj. Ne brezi sotëm duhet të bindim për këtë fëmijët tanë dhe fëmijët më pas të fëmijët e tyre. Vetëm kështu ne mund ta mbajmë në këmbë vendin tonë dhe shtetin tonë”,- deklaroi Monika Kryemadhi.

SHKARKO APP