Kryemadhi: Drejtësia totalisht e kapur, vëllai i Prokurorit të Elbasanit, i treti në listën e Edi Ramës
Në një lidhje me emisionin ‘A Show’ të gazetarit Adi Krasta në Syri Tv, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama në lidhje me koalicionin PD-LSI.
Kryetarja e LSI u shpreh për sistemin e drejtësisë Kryemadhi se aktualisht është 100 % i kapur.
“Monika nuk të lidh me zinxhirë, Monika të lidh me fjalë. Sepse për Monikën fjala e dhënë është shumë më e rëndësishme sesa zinxhirët e florinjtë që mban Edi Rama në qafë apo në duart e tij.
Ndërsa nga ana tjetër për sa i përket sistemit të drejtësisë, nuk më ka pëlqyer asnjëherë sistemi i drejtësisë, që në kohën e komunizmit, ku të gjithë kemi pasur probleme në atë kohë për shkak të dy standardizimit, apo të mungesës së demokracisë, lirisë së fjalës apo edhe lirisë së ekonomisë e shumë të tjera, që në njëfarë mënyre po përsëri sado që të ishte ka pasur problemet dhe hesapet e saj të cilat i ka shlyer.
Pretenduam për një reformë në drejtësi, e cila e kam thënë gjithmonë që nuk ka arritur aty ku ka qenë, edhe pse mori një votëbesim 100% të deputetëve. Por erdhi si një rezultat i një presioni ose si një lloj luftë bërrylash që u bë nëpërmjet vetë Partisë Socialiste në atë kohë dhe strukturave të sistemit të drejtësisë. Faktikisht shikojmë se kemi një sistem drejtësie totalisht të kapur. Mjafton që të përmendim sot Prokurorin e Elbasanit, i cili është një vegël në duart e Taulant Ballës dhe nga ana tjetër vëllai i tij është kandidati i tretë në listën e Edi Ramës për deputet në Partinë Socialiste”, tha Kryemadhi.