Kryemadhi: LSI kërkon që hapja e negociatave të ndodhë menjëherë
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim zhvilloi këtë të enjte një takim me komisionerin për zgjerim në BE Oliver Varhelyi ku u shpreh në mbështetje të agjendës europiane të vendit.
Përmes rrjeteve sociale Kryemadhi deklaron se LSI kërkon që hapja e negociatave të ndodhë menjëherë, për të forcuar, sipas saj, besimin tek të gjithë shqiptarët se Integrimi në BE është një proces i pakthyeshëm.
“Ishte kënaqësi e veçantë të takoheshim sot së bashku me përfaqësuesit e tjerë të Opozitës së Bashkuar me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Oliver Varhelyi.
Gjatë bisedës së zhvilluar me z. Varhelyi, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim shpreha angazhimin tonë të plotë në përmbushjen e nëntë kushteve të Bundestagut.
Hapi i hedhur nga Opozita për Reformën Zgjedhore tregon qartë seriozitetin e saj dhe rëndësinë e padiskutueshme që ka për ardhmërinë e Shqipërisë, Integrimi në Bashkimin Europian.
Ne besojmë se perspektiva Europiane e Shqipërisë është pa asnjë dyshim e vetmja mundësi për progres ekonomik dhe zhvillim për vendin dhe qytetarët tanë.
LSI kërkon që Hapja e Negociatave të ndodhë menjëherë për të forcuar kështu besimin tek të gjithë shqiptarët se Integrimi në BE është një proces i pakthyeshëm.
Hapja e Negociatave do të jetë një sinjal shumë shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët, duke ndikuar kështu shumë pozitivisht edhe tek problemi më i rëndë, që po kalon sot Shqipëria, shpopullimi i saj”, shprehet Kryemadhi.