Kryemadhi me përfaqësuese të Dhomës Ekonomike të Gruas: Taksa 9% ndihmon biznesin dhe ul informalitetin
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, së bashku me ish-ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuese të Dhomës Ekonomike të Gruas.
Përmes një postimi në Facebook, Kryemadhi pohoi se gjatë bisedës parashtroi edhe një pjesë të paketës ekonomike të LSI-së, siç është dhe taksa e sheshtë 9 %.
Postimi i plotë i Kryemadhit
Së bashku me Klajdën zhvilluam një takim me përfaqësuese të Dhomës Ekonomike të Gruas. Në këtë bashkëbisedim, gratë sipërmarrëse ndanë me ne pikëpamjet e tyre mbi politikat që i nevojiten biznesit. Ato na shpjeguan disa nga problematikat me të cilat ndeshen çdo ditë. Një domosdoshmëri, për biznesin shqiptar sipas tyre është dhe pajisja e prodhimeve shqiptare me certifikata në mënyrë që të mundësohet eksportimi i tyre në vendet e BE.
Gjatë bisedës, i parashtrova zonjave të nderuara të Dhomës Ekonomike të Gruas një pjesë të paketës ekonomike të LSI dhe opozitës së bashkuar siç është rikthimi i taksës së sheshtë 9%. Ne si LSI, mendojmë se kjo politikë do të ndihmojë biznesin por dhe do të ulë informalitetin.
Po ashtu, shpreha gatishmërinë për të dëgjuar propozime nga biznesi, për politika ekonomike që do të ndihmojnë në punësimin e të rinjve të cilët sapo janë diplomuar apo kanë mbaruar shkollat profesionale.
Si Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim i bëra thirrje të gjitha grave të bëhemi bashkë për të forcuar autoritetin dhe rritur pushtetin e gruas në jetën e përditshme dhe në politikë.
https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/posts/2974418596004196