Kryemadhi: Nuk ç’tensionohet situata me një draft, s’është arritur ndonjë gjë e madhe

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në News24 deklaroi se situata politike nuk është ç’tensionuar me marrëveshjen e arritur për Reformën Zgjedhore.

Kryemadhi nuk e sheh atë si një arritje të madhe, pasi është bërë vetëm një draft për administrimin zgjedhor dhe kjo për Kryemadhin nuk është zbulimi i shekullit.

Pozitivja që u arrit, sipas Kryemadhit, është se Rama doli zbuluar që donte të kapte komisionet zgjedhore, si dhe kjo është një dritë jeshile për BE.

“E para nuk është se është arritur ndonjë gjë e madhe, që është bërë zbulimi i shekullit. Çështja e Reformës Zgjedhore është një nga kushtet  e BE për negociatat. Në këto kushte është dhe opozita pjesë e dakordësisë, për miratimin e Reformës me konsensusin e gjithë palëve. Ne mundohemi të themi është ndonjë gjë, është vetëm një draft i administrimit zgjedhor, që nuk është një arritje e madhe, nuk është arritje për opozitën. Sepse nuk është fitore, duhej bërë me kohë. Identifikimi biometrik pastaj ka të bëjë me shenjat e gishtave, vendosjen e tyre si në pikat kufitare. Pra shmang mbushjen e kutive në komuna që nuk jeton njeri. S’mund të them votën familjare, pasi kur kryefamiljari detyron familjen nuk ke çfarë i bën. Por në Orenj të Librazhdit për shembull ku janë 3500 zgjedhës dhe nuk jeton njeri, madje edhe dhelprat me ujqërit nuk janë. Apo si rasti i Krujës me 600 emigrantë. Pra s’mund të lejosh komisionerët të mbyllin dyert dhe të mbushin kufijtë. Nuk ç’tensionohet situata me një draft, por me xhepat e shqiptarëve duke u dhënë atë që u takon. Pozitivja është se doli Rama zbuluar me kapjen e komisioneve dhe administratën zgjedhore, dhe më pas u tërhoq duke pranuar komisionet e vjetra, dhe kjo dakordësi u dha dhe nga BE. Për zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme të ardhshme do të jenë këto komisione. Humbja e popullaritetit të Rilindjes është e madhe. Mendoj që do ishte një pozitive, pasi krijon një dritë jeshile për BE që në njëfarë mënyrë kur ka një logjikë dhe ulet bashkëbisedim shumë të fort, shumë me nota të ashpra teknikalitetesh.”- tha Kryemadhi.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, teksa komentoi situatën pas marrëveshjes politike për reformën zgjedhore, deklaroi se i leverdis që të futet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, pasi qytetarët do të shkojnë në votime dhe do të votojnë kundër tij.

“Ne si LSI jemi kategorikisht kundër financimit publik. Propozuesit përdornin logjikën se buxheti është më i kontrollueshëm. Nëse unë do të shkoj në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, probabiliteti për të shkuar drejt votimit është më i madh, pasi njerëzit do të shkojnë të votojnë kundër tij. Ndaj mua më leverdis prania e tij. Jemi vetëm 10 muaj larg zgjedhjeve, jemi shumë vonë sa i përket angazhimit. Çdo parti është shumë vonë me përgatitjet”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së, iu përgjigj pyetjes se pse kishte ndryshuar kursi opozitar nga protestat e forta të një viti më parë kundër Ramës, tek ulja në tryezë bisedimesh.

“Ne kemi arritur në një fitore në iluminimin e faktorit ndërkombëtar. Ne jemi një pikë në oqeanin e tyre, ndonjëherë të nevojshëm si xhepa për të shkarkuar ndonjë problem që kanë, si me emigrantët. Kur gjërat bëhen më prezente, më flagrane si me teatrin fillojnë edhe të tjerët lëvizin. Lëvizin pak më vonë këtu te ne se jemi vend i vogël…ndërkombëtarët kanë qënë ata që i thoshin vazhdo Ramës, kanë qënë muri kinez…ky mur u shemb për të ruajtur ata themelet e veta në vazhdimësi, nuk janë budallenja ata”,- tha Kryemadhi.

Ajo foli po ashtu edhe për marrëdhënien mes Ramës e Bashës dhe mohoi që mes tyre mund të ketë ndonjë takim.

“Kur është keq Edi Rama bën thirrje për tryeza. Ata të dy (Rama-Basha) takohen në kutinë e votimit jo më në tryeza. Sjellja fyese ndaj opozitës ka prerë cdo urë komunikimi sic mund të ndodhte në vende demokratike”,- tha ajo.

SHKARKO APP