Kryemadhi nxjerr fakte të reja: Inceneratori i Tiranës, vepër penale që po kryhet çdo ditë
Monika Kryemadhi në një bashkëbisedim me gazetarët ka nxjerrë fakte të reja lidhur me inceneratorët.
Lidhur me inceneratorin e Tiranës, Kryemadhi tha se ai është “një nga veprat korruptive e kapur në flagrancë me procedurë dhe lëvizje financiare”.
Më tej, Kryemadhi deklaroi se inceneratori i Tiranës përbën një vepër penale që kryehet çdo ditë dhe sipas saj prokuroria nuk vepron për shkak të presionit nga qeveria e Edi Ramës.
“Sot në situatën që po kalojnë shqiptarët me rritjen e çmimeve, ajo që të bën përshtypje, vetëm 7 koncensione marrin 60% të buxhetit të shtetit. Por në fakt ajo që të bën përshtypje është morali dhe guximi që merr kryeministri duke tundur flamurin e ndershmërisë, dhe sa herë ka probleme për justifikim parash, kërcënon përmes SPAK-ut, ofendon dhe bullizon opozitën.
Një nga gjërat kryesore që do vazhdoj të merrem është çështja e inceneratorëve. Po hyj direkt në temë, Klodian Zoto ka paguar rreth 2 mld lekë për 19 kompani. Ajo që të bën përshtypje janë Lumi-06 Elvis 03 Group dhe Elvis Co.
Vlera e grabitur shkon rreth 19 milionë dollarë.
Këto pagesa Klodian Zoto i ka bërë në vitin 2018-2019-2020-2021. Ndërkohë që dje kryeministri thoshte që janë paditur nga Drejtoria e Tatimeve. Kur janë paditur si i kanë lejuar të paguhen dhe të marrin paratë. Nuk është e vërtetë që prokuroria i ka dhënë dokumentet LSI.
Në gjithë këtë histori, ky incenerator është afatgjatë, deri në 2047, pra qytetarët do i paguajnë nga 10 milionë dollarë vit për vit“, tha Kryemadhi.