Kryemadhi publikon fakte të tjera për inceneratorin e Elbasanit: Rama gënjen si gjithmonë!

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar sërish lidhur me aferën miliona euro të inceneratorëve.

Në reagimin e saj, Kryemadhi thotë se Kryeministri Edi Rama është i zhytur në këtë aferë. Kryemadhi thotë se inceneratori i Elbasanit do të prodhojë energji për kompaninë e Stela Gugallit, e shpallur në kërkimin nga policia, edhe për 25 vjet, por Rama nuk ka lënë studio televizive pa dalë për të mbrojtur korrupsionin e shekullit të qeverisë së tij.

Reagimi i Kryemadhit
I zhytur deri në fyt me aferën e inceneratorëve Edi Rama nuk ka lënë studio televizive për të mbrojtur korrupsionin e shekullit të qeverisë së tij.

I kapur në panik nga firma që ka vënë për inceneratorin e Elbasanit, Edi Rama përpiqet të gënjejë të gjithë qytetarët duke i bërë të besojnë se ai është pronë e shtetit shqiptar.
Sipas kontratës së firmosur nga dora e tij, inceneratori i Elbasanit përveç incenerimit të plehrave do të prodhojë dhe energji elektrike. Sipas Edi Ramës (video), kjo pronë dhe ky përfitim do të jetë i shtetit.
Por sot Edi Rama ka harruar çfarë ka firmosur, pasi në kundërshtim me ligjin ai i ka dhënë një tjetër koncesion mbi koncesionin kompanisë, duke i dhënë të drejtën të shesë energjinë e prodhuar nga inceneratori.
Të gjitha bashkitë e qarkut të Elbasanit kanë detyrimin të depozitojnë mbetjet në këtë incenerator. Menaxhimi i është lënë detyrë Bashkisë së Elbasanit, nga djegia e plehrave do të prodhohet energji elektrike që do të shitet nga kompania e lidhur me Edi Ramën. Pra, e thënë thjeshtë bashkia e Elbasanit do të punojë për kompaninë koncesionare duke mos marrë vetë asnjë përfitim. Kjo është përgjegjësia personale që ka Edi Rama dhe nga paniku del nëpër studio televizive për t’i bërë presion drejtësisë që të çojë bashkëpunëtorët e tij në burg.

SHKARKO APP