Kryemadhi: Shpresojmë për një përgjigje pozitive për negociatat. E vetmja e ardhme e Shqipërisë është Perëndimi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e ftuar ditën e sotme në “Nova Media”, komentoi edhe procesin e hapjes së negociatave.
Kryemadhi u shpreh se shpreson se më datë 18 do të ketë një përgjigje pozitive për Shqipërinë, edhe nëse do të ketë kushte, të cilat janë të domosdoshme për të detyruar klasën politike në futet në shina.
Gjithashtu Kryemadhi theksoi se e vetmja e ardhme e Shqipërisë është Perëndimi dhe kjo mbështetet plotësisht nga shqiptarët.
“Ne po presim datën 18 dhe ne shpresojmë që kjo datë të jetë një PO edhe pse me kushte për Shqipërinë. Do të jetë e domosdoshme sepse do të detyrojë klasën politike të futet në një shinë apo në një kuadrat të zbatimit të saj. Hapja e negociatave do të thotë zbatim i Reformës në Drejtësi. Dhe mos harroni që Franca sot i ngriti një kusht tjetër Maqedonisë së Veriut. Ju besoj keni dëgjuar për faktin e Prokurores Speciale të Maqedonisë, e cila u arrestua sepse u kap për një proces korrupsioni ndaj një dosjeje po themi korruptive.
Tani vijmë te data 18. Edhe pse shpresat janë shumë të pakta, por avantazhi është që është lënë një derë e hapur për Shqipërinë, sepse Shqipëria vetëm drejt BE-së ka të ardhme. Shqipëria nuk ka të ardhme ndaj asnjë lloj qëndrimi tjetër, qoftë ky jug, lindje apo gjëra të tjera. E vetmja e ardhme, por edhe ai pasion që kanë të rinjtë shqiptarë sot është Perëndimi. Pra Shqipëria është një nga popujt më pro amerikanë jo vetëm në rajon, por edhe në Ballkan dhe është një popull i cili 99.99% do të jetë anëtar i BE-së. Edhe pse ka kushte të tjera që janë shumë të rëndësishme. Kushtet nuk janë për shqiptarët, kushtet janë për klasën politike dhe për administratën publike.” – u shpreh Kryetarja e LSI-së për Nova Media.

SHKARKO APP