Kryemadhi takim me të rinjtë: Rininë shqiptare s’ka virus që e ndal
Në një takim me gjimnazistët e LRI-së, Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha se vetëm me angazhimin e të rinjve në vendimmarrje, do të çonte para vendin.
Mes të tjerash Kryemadhi tha se rininë shqiptare s’ka virus që e ndal.
Kryetarja e LSI-së deklaroi se kjo forcë politikë lufton për të rinjtë, ndërsa theksoi se ajo do të jetë foltorja e tyre gjithmonë.
“Të rinjtë janë shpirti dhe drita e syve të familjeve tona. Dëgjoj me vëmendje dhe me pjesën më të madhe të tyre jemi takuar. Pyetja që bëjmë herë pas here është; sa nga ju duan që të ikin nga Shqipëria? Mungesa e arsimit cilësor, e perspektivës, e një page të mirëpaguar, e shumë gjerave të tjera që ka sot nevojë një njeri, jo vetëm shkollën, janë arsyet. A ka zgjidhje kjo situatë? LSI është partia e të rinjve, u ka dhënë dorën të rinjve, që janë sot krenaria e kësaj partie dhe fuqia e saj. S’i përdorim të rinjtë si dekor, të bëhesh sot pjesë e vendimmarrjes, do të thotë të kesh vizion. Sot këtu nga korpusi i Universitetit të Tiranës, në sheshin Nënë Tereza, ku me bekimin e saj, të urojë të rinjtë, familjet tuaja, që të ndriçojë mendjen dhe zemrat, që të ndërtoni familjet në Shqipëri. LSI do të jetë foltorja juaj për të marrë vendimet tuaja. Me djem dhe vajza si ju që ëndërrojnë të jenë europiane në vlera dhe standard jetese, në cilësinë e mënyrës së jetesës, për të krijuar më shumë. Europa nuk është kulla që zaptohen dhe pastrojnë paratë e drogës në Shqipëri. Por është arsim cilësor, shëndet dhe kujdes i politikës për qytetarët e saj. Kjo është e vetmja mënyrë për të ndryshuar këtë realitet të hidhur. S’ka virus që e ndalon rininë shqiptare për të ndaluar këtë realitet monstruoz.”, tha Kryemadhi.