Kryemadhi: Trinomi, që mban në këmbë qeverinë, paaftësia, makutëria dhe anti-kombëtarizmi

Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet kërkesat e fermerëve dhe i përkrah ata në protestën e së mërkurës. Në një dalje për mediat, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi drejton gishtin nga qeveria, që sipas saj nuk mbështet fermerët.

Pjesë nga deklarata e Monika Kryemadhit

Kjo qeveri me paaftësinë e saj krijoi një dëm eksporteve shqiptare dhe prodhimeve vendase ku ulja e TVSH në masën 6%, nuk solli gjë tjetër por solli vetëm një konflikt fals midis fermerëve dhe eksportuese. Solli uljen e eksporteve dhe rikthimin e balancave negative të importeve të huaja në Shqipëri. Para dy vitesh Shqipëria eksportonte prodhime bujqësore më shumë se importonte. Sot fermerët e kanë kuptuar që kanë të bëjnë me nje qeveri të paaftë.
Kjo qeveri ka si inspirim grabitjen, vjedhjen dhe përfitimin edhe në kurriz të atyre, që zgjohen ne tre të natës për të dalë dhe për të punuar në fushë, në sera apo me bagëtinë e tyre përsëri kthehen në mes të natës. Kjo makutëri ka sjellë që imputeve bujqësore iu hoq TVSH dhe në fakt që ulej çmimi i imputeve bujqësore, përkundrazi ai u rrit. Pra nuk solli gjë tjetër veçse pasurimin e importuesve të cilët janë të lidhur drejtëpërsëdrejti me qeverinë.
TVSH në masën 6% solli pakësimin e tregut për prodhimet e fermerëve dhe iu dha treg te lirë importeve të huaja. Sot në mungesë të subvencionit, qeveria ka në mendje PPP-të. Ky në fakt paratë shkojnë për të shlyer paratë e oligarkëve dhe jo për të subvencionuar bujqësinë. Numri i gjedhëve vetëm këto dy vite ka rënë me më shumë se 100 mijë krerë dhe i të imtave ka rënë me më shumë se mbi 500 mijë krerë, ndërsa numri i boteve me qumësht dhe kamionave me perime nga Serbia është rritur në mënyrë eksponenciale. Këtë e sjell makutëria e rilindasve.
Kjo qeveri me politikat e saj, në thelb edhe në veprim s’ka bërë gjë tjetër vetëm ka goditur fermerët dhe blegtorët shqiptarë të cilët po i detyron të braktisin tokat dhe fermat e tyre. Me dhjetra shqiptarë të kthyer nga emigrimi për të punuar në tokën e tyre në vendin e tyre, po kthehen kësaj radhe më të zhgënjyer se kurrë rrugëve të emigrimit. Kjo qeveri në fakt ka inspiruar vetëm largimin e shqiptarëve. Ashtu si dhe oligarkët të cilët janë kthyer në ideatorët ekonomikë të qeverisë tonë, nuk kanë më rëndësi nëse shqiptarët largohen nga Shqipëria, rëndësi për ta ka që krahun e djemve dhe vajzave shqiptarë t’a zëvendësojnë me emigrantë që vijnë nga Azia Afrika ku të cilët kostoja e tyre mund të jetë shumë më e vogël. Por në fakt oligarkëve dhe qeverisë të Edi Ramës nuk I duhen më punëtorë dhe krahët e djemve dhe vajzave shqiptarëve por i duhen skllevër modern me kurriz të ulur, pa gojë, pa gjuhë, pa krenari.
Në fakt trinomi i qeverisë së Edi Ramës është paaftësia, makutëria, dhe anti-kombëtarizmi.

SHKARKO APP