Kryemadhi uron pavarësinë e SHBA-ve: Moment frymëzimi për kombet që luftojnë për të fituar e ruajtur lirinë dhe demokracinë
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka uruar festën e e pavarësisë së SHBA-ve duke e cilësuar këtë ditë një moment festimi e frymëzimi për kombet e tjera, për ata që luftojnë për të fituar lirinë dhe demokracinë, si dhe për ata që luftojnë për t’i ruajtur.
Kryemadhi thekson se aleanca e kombit tonë me SHBA është forcuar në vazhdimësi, duke formësuar themelet demokratike të shteteve ku shqiptarët jetojnë.
MESAZHI I KRYEMADHIT
Sot është 4 korriku, festa kombëtare e SHBA.
I shpreh SHBA, udhëheqësve të saj dhe përfaqësuesve në Shqipëri: Gëzuar dhe e festofshi nga mot si kombi i lirisë, drejtësisë dhe demokracisë!
Festa e 4 korrikut është gjithashtu moment festimi e frymëzimi për kombet e tjera, për ata që luftojnë për të fituar lirinë dhe demokracinë, si dhe për ata që luftojnë për t’i ruajtur.
Është edhe një ditë festimi e gëzimi për shqiptarët kudo ku jetojnë, si miq të paepur të kombit të madh amerikan dhe SHBA-ve, miqësi e farkëtuar në momentet më të rëndësishme për historinë tonë moderne.
Aleanca e kombit tonë me SHBA është forcuar në vazhdimësi, duke formësuar themelet demokratike të shteteve ku shqiptarët jetojnë.
Sot kjo aleancë zhvillohet çdo ditë në përqafimin dhe ruajtjen nga ne shqiptarët të vlerave Trans-Atlantike, si anëtarë të NATO-s dhe në proceset e integrimit tonë në BE, ku ndihma e SHBA është e pakursyer.
Urimet e mia shkojnë sot edhe për qindra mijëra shqiptarë që janë qytetarë të SHBA dhe kontribuojnë çdo ditë për forcimin e Aleancës sonë strategjike.
God Bless USA! God Bless the friendship USA-Albania!
Në foto me Nancy Pelosin, Spikeren e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan dhe liderin e Grupit Republikan në Kongresin Amerikan Z. Kevin McCarthy. ????