Kryemadhi takim me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së: Opozita do arrijë një fitore të thellë
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, priti këtë të premte në takim delegacionin e misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, do të jenë të dislokuar për monitorim të situatës në terren ditën e zgjedhjeve.
Kryetarja e LSI-së i njohu vëzhguesit ndërkombëtarë për situatën shumë të rënduar, të ndikuar nga sjellja e qeverisjes aktuale.
Nisur nga kjo, Kryemadhi ka kërkuar monitorim të posaçëm për disa zona të nxehta në qytete të ndryshme të vendit, si Elbasani dhe Durrësi, duke përfshirë këtu bashkitë e qarkut Tiranë, si Vora, Kavaja, Rrogozhina, Kamza dhe rrethinat e bashkisë Tiranë.
Kryetarja e LSI-së ndau me ta bindjen për një fitore të thellë të opozitës në 25 Prill dhe i ka falënderuar përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për praninë e tyre, duke i inkurajuar për të monituar rreptësisht çdo fenomen që cenon integritetin e këtyre zgjedhjeve.