Kryeministri Albin Kurti: Po nisim t’ua hapim rrugën zgjedhjeve të parakohshme në veri
Kryeministri Albin Kurti, tha këtë të martë se Kosova ka nisur t’ua hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, kjo në kuadër të marrëveshjes së arritur me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve.
“Prej javës së kaluar e kemi zvogëluar prezencën e Policisë së Kosovës për 25 për qind në tri ndërtesat komunale në veri. Tani kemi nisur t’ua hapim rrugëve zgjedhjeve të parakohshme. Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur me BE-në, në Bratisllavë, për shtensionim të situatës”,-tha Kurti.
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor. Për shkak të mosdëgjimit të këshillave të faktorit ndërkombëtar për dhënie fund të krizës, Kosova është përballur me masa ndëshkuese nga BE-ja. Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.