Kryeministri Albin Kurti: S’ka dialog me Serbinë pa e njohur Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se ai nuk ka qenë kurrë kundër dialogut me Serbinë në parim. I ftuar në Çim Peka Live”, Kurti thekson se kusht për nisjen e marrëveshjeve është njohja reciproke. Kurti nënvizon se Kosova nuk e ka dëmtuar kurrë Kosovën.

Pjesë nga biseda

Çim Peka: Nga 5 lloj kushtet të panegocioueshme për bisedime me Serbinë, zero kushte thonë kritikët tuaj zoti Kurti, s’ka njohje nga Serbia, s’ka ndryshim të Kushtetutës, s’ka kërkim falje për krimet, s’ka kthim të të pagjeturve, s’ka zhdëmtim, s’ka as dorëzim të kriminelëve serbë, s’ka kthim të depozitave, s’ka kthim të fondit pensional e kështu me radhë. Shumë kushte, asnjë i realizuar ndërkohë që Dialogu vazhdon. Pse hoqët dorë?

Albin Kurti: Së pari, unë s’kam qenë dhe as jam populist. Unë konsideroj që shoqëria, populli, nuk janë një totalitet organik ku me një fjalë, shprehje apo fjali a frazë i përmbledh të gjithë. Në shoqëri, në popull, ka klasa, ka interesa të ndryshme, mirëpo natyrisht që ne kemi fituar shumicën dhe në këtë mënyrë Kosova ka bërë një hap cilësor të demokratizimit të saj. Edhe sipas Transparent International, edhe sipas Reporterëve pa Kufij, edhe në aspektin e luftimit të krimit dhe të korrupsionit, edhe në aspektin e lirisë së medias, Kosova është ngritur për 17 vende. Kjo nuk i ndodh populistëve, kjo i ndodh demokratëve.

Peka: Ju keni folur në atë kohë për kushte. Pse jeni i bindur se bisedimet nga ish-pasardhësit tuaj ishin pa parime dhe tuajt janë me parime’? Dakord, po e pranojnë zëvendësimin e fjalës parim me kusht, por nuk janë parime këto, janë kushte në fakt. Pse ju paskeni parime dhe ata s’kanë pasur parime?

Kurti: Në vitin 2011, kur kanë filluar dialogun njëherë teknik dhe pastaj politik, kanë bërë 33 marrëveshje! Unë nuk kam thënë që secila prej këtyre marrëveshjeve është e keqe, por kam kundërshtuar shumë Asocionin e Komunave me Shumicë Serbe apo Zajednicën; kam kundërshtuar shumë Fusnotën dhe kam kundërshtuar edhe disa marrëveshje të tjera.

Kemi thënë që do të bëjmë rishikimin e këtyre marrëveshjeve dhe ne po bisedojmë duke pasur parasysh një rishikim që ne ia bëmë. Kurrë Kosovës nuk i është përmirësuar imazhi sa këto 1 vi e tre muaj që jemi në qeverisje dhe me këtë rast, për asnjë moment nuk e kemi dëmtuar Kosovën.

Kemi pak trupa të të zhdukurve me dhunë të kthyer në Kosovë, mirëpo kaq trysni mund të bëjmë ne duke lëvizur edhe faktorët ndërkombëtarë karshi Serbisë. Do të dëshiroja që gjendja të ishte më e mirë, por nuk e kam dëmtuar Kosovën në asnjë moment, ndërkohë që marrëveshjet që kam trashëguar njëmend janë dëmtim i Kosovës.

SHKARKO APP