Kryeministri bën autogol pas ikjes së John Kerry
Partia Demokratike ka reaguar sot duke akuzuar kryeminitrin Rama se po sfidon dekriminalizimin dhe mesazhet e sekretarit amerikan të shtetit, Joh Kerry. PD merr shkas nga prania e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, në ceremoninë e prezantimit të prefektit të ri të Lezhës.
Ndoka është një prej deputetëve që la mandatin për shkak të së shkuarës kriminale, shkruan lapsi. Përmes një deklarate për mediat, Arben Ristani akuzoi kryeministrin Rama se po vazhdon t’u japë pushtet personave të inkriminuar.
“Departamenti amerikan i shtetit e cilësoi të papranueshme që Arben Ndoka, i dënuar në Itali për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, të ishte pjesë e parlamentit. Sekretari Kerry, pasi e vlerësoi dje në Tiranë procesin e dekriminalizimit, e veçoi atë si sukses dhe model që duhet ndjekur. E megjithatë, ja ku është i zgjedhuri i Edi Ramës, i besuari i tij në Lezhë, duke prezantuar Prefektin e Qarkut. Ja ku është i dënuari që, pas denoncimeve të opozitës, pas qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtarë, dhe pasi ligji i dekriminalizimit e nxorri jashtë parlamentit, sot, me bekimin e Edi Ramës, qeveris Lezhën, bën emërime, shkarkime, tenderime. Vendos për çdo gjë. Edi Rama sfidon hapur dekriminalizimin, sfidon hapur mesazhin e z.John Kerry.Ai vazhdon t’u japë pushtet personave të inkriminuar, vazhdon ti mbajë ata afër, dhe po i përgadit ata për zgjedhjet që po vijnë për të deformuar votën e lirë. Si ta kuptojmë qytetarët këtë shpërfillje të Edi Ramës ndaj mesazhit të Kerrit?”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani.
Më herët gjatë ditës deputeti Eduard Halimi u shpreh se kryeministri Rama i bën presion Gjykatës Kushtetuese që të mos shpallë vendimin për cështjen e imunitetit të deputetit Koço Kokëdhima.
“Edhe pse lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi janë prioritete kryesore për vendin, siç u theksua edhe dje nga Sekretari amerikan i Shtetit, Edi Rama po vazhdon në drejtimin e kundërt duke i bërë presion gjykatës, e duke mbrojtur korrupsionin e njerëzve të tij. Me ndërhyrjet e tij, Edi Rama vonon zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Koço Kokëdhimën, duke penguar kështu drejtësinë, e duke dalë në krah të korrupsionit.Fillimisht Edi Rama urdhëroi parlamentin të mos merrte në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës. Ndonëse Gjykata Kushtetuese e shpalli anti-kushtetues këtë vendim të parlamentit, që në nëntor të vitit të kaluar, përmes presionit të Edi Ramës po vonohet zbardhja e tij. Rasti Kokëdhima është shembulli i korrupsionit me fondet publike të njeriut pranë kryeministrit, është shembulli i kapjes së shtetit, shembulli i oligarkut qeveritar që qëndron mbi ligjin. Ky është rasti që në frymën e prioriteteve që ka vendi për luftën ndaj korrupsionit dhe reformimit të drejtësisë, në frymën e mesazhit të theksuar dje nga Sekretari Kerri, Gjykata Kushtetuese të tregojë pavarësi nga kryeministri e të hapë rrugën e drejtësisë”, tha Halimi.
KOHA JONË SONDAZH

