Kryeministri bullgar shuan shpresat: Nuk ka shans që të hiqet vetoja gjatë Samitit
Kryeministri bullgar Kiril Petkov tha ditën e sotme (23 qershor) se nuk kishte asnjë shans që Bullgaria të hiqte veton ndaj Maqedonisë së Veriut gjatë këtij samiti të BE-së, por la të kuptohet se një zgjidhje mund të jetë e afërt në ditët në vijim.
Petkov, tani në cilësinë e ish-kryeministrit, i qëndron qëndrimit të tij se parlamenti duhet të miratojë një rezolutë që lejon heqjen e vetos, bazuar në miratimin e propozimit të Presidencës franceze.
Petkov tha se i pëlqente “personalisht” propozimi francez, por nuk i takonte atij, por parlamentit të merrte një qëndrim.
Duke folur me gazetarët në pragun e samitit të Ballkanit Perëndimor, Petkov shpjegoi se parlamenti bullgar duhej të nxirrte dritën jeshile për heqjen e vetos dhe vetëm atëherë ai do të bënte lëvizjen e tij që duhet të jetë e qëndrueshme me kalimin e kohës, pavarësisht se kush qeveris.