Kryeministri Edi Rama: BE të respektojë marrëveshjen për përfundimin e negociatave deri në 2027
Kryeministri Edi Rama u shpreh se gjatë samitit BE-Ballkani perëndimor ka kërkuar që Komisioni Europian dhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të pranishëm në Këshillin Europian të respektojnë marrëveshjen për përfundimin e negociatave brenda 2027.
Në nisje të podkastit “Flasim- Episodi 11, Sezoni 5”, Rama u shpreh se, samiti i BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Bruksel ishte një tjetër pikëtakimi e Shqipërisë me Europën në nivelin më të lartë.
Rama theksoi se në këtë samit “u bë bilanci i progresit tonë si rajon drejt BE-së dhe ku Shqipëria u gjend në kushtet më të mira në sytë e Europës, si rezultat i punës së madhe dhe arritjeve positive, këtu në shtëpinë tonë”.
Rama u ndal tek disa pika që ai vuri në dukje gjatë samitit në Bruksel.
“Hapja e të gjithë kapitujve të negociatave për ne përbën një inkurajim shumë të madh, por përsërita domosdoshmërinë që Komisioni Europian dhe patjetër edhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të pranishëm në Këshillin Europian të respektojnë marrëveshjen për përfundimin e negociatave brenda 2027, duke nënvizuar se anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit duhet të përshpejtohet politikisht”, u shpreh Kryeministri Rama.
Rama nënvizoi se Shqipëria padiskutim do t’i vazhdojë reformat modernizuese dhe do t’i vazhdojë pa u lëkundur përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, jo për Brukselin, por për interesin tonë strategjik kombëtar.
KOHA JONË SONDAZH

