Kryeministri Edi Rama në shpërndarjen e ndihmave në zonat e përmbytura

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ndoqi sot nga afër funksionimin e zinxhirit të shpërndarjes së ndihmave për banorët e zonave të përmbytura. Ky zinxhir nis nga qendra bazë e grumbullimit, në pikat e shpërndarjes të ngritura në çdo komunë deri tek familjet e prekura. Kryeministri e nisi inspektimin nga qendra bazë e grumbullimit e të shpërndarjes së ndihmave e vendosur në autostradën Fier-Vlorë. Në këtë qendër bëhet magazinimi i ndihmave nga Rezervat e Shtetit dhe bizneset. Pasi bëhet paketimi nis shpërndarja e tyre drejt komunave.

 

Shtabi i emergjencës pranë Prefekturës ka hartuar regjistrin e ndihmave, me emrat dhe nevojat e të gjitha familjeve të dëmtuara nga përmbytjet. Strukturat e emergjencave civile, të mbështetura nga grupet e vullnetarëve punojnë pa ndërprerë, 24 orë, për përgatitjen e paketës së ndihmave për familje, që përfshijnë produkte ushqimore, koncentrat për blegtorinë, veshmbathje dhe pajisje elektroshtëpiake. Ndërsa Forcat e Armatosura bëjnë shpërndarjen e tyre drejt pikave të pritjes.

 

Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, garantoi se shtabi i emergjencës është i mirëorganizuar dhe shpërndarja e ndihmave po bëhet familje më familje. Ai shpjegoi edhe skemën e shpërndarjes: “Ashtu siç funksionon magazina qendrore për magazinimin e ndihmave të grumbulluara nga biznesi vendas dhe i huaj, si dhe ndihmat e Rezervave të Shtetit, po kështu funksionon edhe magazinimi në çdo qendër komune dhe çdo qendër fshati dhe me kryepleqtë dhe shtabet e vogla të emergjencës, në bashkëpunim e të mbështetura nga strukturat e ushtrisë dhe qendrës vullnetare, bëhet shpërndarja në çdo fshat. Shpërndarja bëhet me listë konkrete.”

 

Drejtori i emergjencave civile siguroi gjithashtu, se deri tani, çdo familje ka marrë ndihmë për vete dhe bazë ushqimore për bagëtinë, dy deri në tre herë.

 

Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për të gjitha strukturat shtetërore, ekipet vullnetare dhe sipërmarrjen, të angazhuar në fazën e dytë të mbështetjes, në vijim të një plani solidariteti të qeverisë dhe angazhimit social të biznesit. Kryeministri nënvizoi se shpërndarja është organizuar në detaje, por kërkoi vëmendje e kujdes maksimal, për të evituar çdo abuzim. “Është me rëndësi themelore që organizmi i përgatitur me kaq kujdes dhe në detaje gjatë gjithë këtyre ditëve po kthehet në një operacion të suksesshëm, që do të thotë që çdo familje në nevojë të marrë pjesën që i takon. Regjistri i përgatitur nga Prefektura, në bashkëpunim me komunat dhe shtabin e emergjencës, të respektohet. Të mos ketë asnjë abuzim dhe asnjë shpërdorim të kohës, të mjeteve dhe të gjithë këtyre materialeve të grumbulluara, produkteve e me radhë”, u shpreh Kryeministri.

 

Një nga shqetësimet më të mëdha, shprehur në ditët e përmbytjeve nga banorët e prekur, është dëmtimi i bazës ushqimore për bagëtinë. Kryeministri e konsideroi gjithashtu, me rëndësi të veçantë dhe theksoi se është e siguruar 100%. “Me rëndësi të veçantë është që ushqimi i siguruar 100% për bagëtinë të shkojë në destinacion. Të mos mungojë asnjë nga këto ditë, sepse kjo është vërtetë e rëndësishme për të mos humbur më krerë. Nga ana tjetër, padyshim nuk diskutohet që është e dorës së parë nevoja morale për të përballuar me sukses operacionin, duke iu gjendur çdo familjeje dhe çdo individi që është prekur nga përmbytja, për të dhënë ndihmën e nevojshme në ushqime, në materiale të tjera dhe po ashtu, edhe në disa nga orenditë kryesore elektroshtëpiake, për të cilat, ne jemi përgatitur të japim atë që është humbur, pra, të bëjmë të gjithë zëvendësimet e nevojshme. Kjo nuk do të mbarojë sot. Sot thjesht është dita për të hapur një fazë që do të shtrihet deri kur të gjitha nevojat të jenë përballuar“, theksoi Rama.

 

***

 

Kryeministri Rama vazhdoi inspektimin në nënpikën e shpërndarjes së ndihmave në komunën Novoselë. Në këtë pikë kishim mbërritur edhe ndihmat e para nga sipërmarrja, e cila shprehu solidarizim të menjëhershëm në takimin e një dite më parë me Kryeministrin.

 

Luan Bregasi, kryetar i Shoqatës “Biznes Albania”, tha se të gjithë kompanitë e biznesit që u solidarizuan me situatën kanë sjellë ndihmat e para si 15 kuintal qumësht, 600 jorganë dhe 300 batanije, njëmijë copë bukë, 200 kuintal ushqim për kafshët, 10 mijë litra ujë, etj. Bregasi nënvizoi se ky kontribut do të vazhdojë edhe për zonat e tjera të prekura. “Sot kanë mbërritur ndihmat e para në zonën e Novoselës dhe konkretisht kanë ardhur 1000 mijë pako me ushqime. Nga 600 familje që kanë nevojë, ne kemi bërë 1000. Ndihmat e para mbërritën sipas situatës që na u paraqite dje, nga komuna e Novoselës.”

 

Prefektja Etiona Hoxha theksoi se organizimi i skemës së shpërndarjes nga qendrat e mëdha deri tek familja ka rezultuar funksionale dhe e suksesshme. “Kemi përdorur një skemë funksionale për shpërndarjen e ndihmave. Kryepleqtë ishin në krye të grupeve të punës, të cilët bënë identifikimin e familjeve që ishin në vijën e parë të përmbytjes dhe ku uji kishte depërtuar në lartësi të konsiderueshme. Pakot e para janë shpërndarë me mjetet e ushtrisë, të shoqëruar edhe nga forcat ushtarake, si dhe nga kryeplaku i secilit nga fshatrat e përmbytur dhe nga një anëtar i shtabit të emergjencave. Është bërë me listat përkatëse të familjeve, me kartat e identitetit. Ndihmesa ka qenë e jashtëzakonshme, edhe nga qytetarë të ndryshëm, nga subjekte të ndryshme private dhe të gjitha familjet e përmbytura kanë përfituar jo një herë, por kanë mundur të përfitojnë edhe më shumë se një herë, sa herë ata e kanë pasur të nevojshme.”

 

Në mbështetje të shtabit të emergjencës prej ditësh janë angazhuar ekipe të vullnetarëve. “Kemi punuar shumë fort. Kemi vajtur shtëpi më shtëpi, fshat më fshat,” – u shpreh një vullnetare. Ajo shprehu gatishmërinë për të vazhduar të japin ndihmesën e tyre derisa të jetë e nevojshme.

 

Kryeministri Rama falenderoi sipërmarrjen për solidaritetin e dëshmuar. Kryeministri rinënvizoi se mbështetja shkon edhe përtej kësaj faze të dytë të operacionit, ndërkohë që po bëhet edhe inventarizimi i dëmeve. “Kjo është një nga nënpikat, sepse janë pikat e mëdha të grumbullimit, pastaj janë të gjitha nënpikat që janë praktikisht komunë për komunë dhe që janë pikat ku me një regjistër të saktë individësh, familjesh, nevojash duhet realizuar dhënia në kohë, pa asnjë abuzim, e gjithë kësaj ndihme të madhe që është shumatorja e ndihmës që vjen nga Rezervat e Shtetit dhe që vjen nga sipërmarrja. Edhe një herë përfitoj nga rasti t’i falenderoj të gjithë sipërmarrësit e solidarizuar, të Shqipërisë dhe të Kosovës, që po vazhdojnë të solidarizohen, duke bërë të mundur që faza dytë të jetë më shumë sesa thjesht plotësimi i këtyre nevojave, por edhe shprehja kuptimplotë e një solidariteti real. Nga ana tjetër, dua të nënvizoj faktin se ne do ta shtrijmë këtë fazë deri kur të gjitha nevojat bazë të jenë të përmbushura në kohë. Paralelisht, e përsëris edhe këtu, qeveria po bën të gjithë inventarin e dëmeve për t’u zhbërë në kohë lidhur me zëvendësimin e krerëve të humbur dhe lidhur me mbështetjen e atyre që kanë humbur prodhimin, apo një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës së prodhimit dhe ku bëhet fjalë për shuma të konsiderueshme.”

 

Një falenderim mirënjohës, Kryeministri i adresoi prefektes së Vlorës, deputetëve, kryetarëve të komunave dhe kryepleqve, që kanë qenë plotësisht të angazhuar dhe të koordinuar, si dhe strukturave të emergjencës civile dhe drejtuesit e saj që kanë mundësuar një bazë solide për këtë koordinim.

 

***

 

Pika fundore e zinxhirit të shpërndarjes është familja e çdo banori të prekur nga përmbytja. Për të parë si dhe sa realizohet kjo shpërndarje, Kryeministri vizitoi një familje në fshatin Akerni, në grykëderdhjen e Vjosës. Tekiu është kryefamiljari i një prej shtëpive të përmbytura të Akernit i cili thotë se: “Kam qenë i përndjekur politik. Nuk besoja se do më ndihmonit. Është e pabesueshme për mua kjo që ju bëtë. Ndihmat nuk kanë ardhur sot që erdhët ju, por kanë ardhur gjatë gjithë këtyre ditëve dhe ju mund t’i shikoni këtu në shtëpinë time.”

 

I pyetur nga Kryeministri për ushqimin e bagëtive kryefamiljari u përgjigj se tashmë bagëtitë e tij kanë furnizim ushqimor për 10-15 ditë.

 

Aty, Kryeministri u takua edhe me banorë të tjerë të fshatit, të cilët i pyeti për sasinë dhe llojin e ndihmave që kishin marrë dhe për gatishmërinë e strukturave të emergjencës për t’i ndihmuar. Interesimit të Kryeministrit se sa herë ju kanë shkuar ndihmat, një tjetër banor i dëmtuar u përgjigj: “Na kanë ardhur përditë. Na kane ardhur dy frigoriferë, dy lavatriçe, batanije, ushqime dhe ushqim për blegtorinë. Ka shumë vlerë ardhja juaj këtu. Të mos i futemi politikës, se çfarë bëni majtas e djathtas, por na keni ndihmuar”

 

“Ju falënderoj që keni ardhur në shtëpi. Tmerr i paparë që kemi parë në orën 02.30 të natës. Ju falenderoj dhe të lumshin këmbët,” – u shpreh një banore, e cila gjithashtu kishte pasuar dëme nga kjo katastrofë. “Unë nuk kam qenë anëtar partie në asnjë kohë, por ndihma juaj këtu tek ne të përmbyturit është realitet,” – tha një tjetër banor.

 

Në Novoselë janë 627 familje të prekura nga përmbytjet, të përfshira tashmë në skemën e shpërndarjes. Këtë mënyrë të organizimit të ndihmës në çdo familje, Ministri Veliaj e përkufizoi si “ndihma që vjen tek familja dhe jo familja tek ndihma.”

 

Është bërë një ndarje nga magazinat e mëdha deri në nivel kapilar deri në nivel familje. Në magazinën e parë mblidhen gjithë produktet, përfshirë bazën ushqimore për bagëtinë, pastaj shpërndahet në pikat lokale si ajo që vizituam në Novoselë dhe pastaj secili ekip ka një kryeplak që i drejton në çdo familje. Është ndihma që shkon tek familja dhe jo familja tek ndihma. Pasi ndihma vjen këtu, familja merr në dorëzim lavatriçen frigoriferin, ushqimin për bagëtinë, ushqimin për familjarët. Firmos me numrin e identitetit, për efekt të transparencës dhe sigurohet kështu që çdo familje që është në inventarin tonë të nevojave të marrë të gjithë masat dhe gjithë ndihmën e nevojshme, nga ana jonë. Arsyeja që jemi këtu është për të treguar se gjithë ata qytetarë dhe gjithë ajo bujari përkthehet deri sa vjen tek Tekiu, pika fundore e marrjes së ndihmës. Zinxhiri që patë sot nga magazinat e mëdha deri tek familja është mënyrë si funksionon operacioni për të gjithë 627 familjet që janë prekur në Novoselë.”

 

Kryeministri gjatë bisedës me banorët e fshatit Akern i sigurojë se lehtësitë për zonat e përmbytura do të bëhen, sa i takon detyrimeve të energjise.

SHKARKO APP