Kryeministri: Lajmsi s’ka faj. Sekretin hetimor nuk e nxjerrin gazetarët, por prokurorët
Kryeministri Edi Rama në konferencën për të drejtën e informimit, theksoi se asnjë gazetar nuk ka faj kur publikon të dhëna që mund të cilësohen si sekret hetimor.
“Dua të përgëzoj avokaten e popullit, për një rast të një gazetari, i cili u hetua dhe u akuzua për nxjerrje të sekretit hetimor. Po ashtu dhe në kohën e COVID-it, prokuroria iu vu mbrapa disa gazetarëve.
Për mua gazetarët nuk nxjerrin sekretet hetimore, se nuk i disponojnë, por i disponojnë prokurorët. Kur gazetarit i bie në dorë sekreti, nuk është më detyrim i tij të ruajë sekretin.
Nuk shkon drejt tij hetimi, por drejt atyre që ia dhanë atij. Që në Kanun shkruhet e zeza mbi të bardhë: lajmsi nuk ka faj, por kush e prodhoi apo ia dha atij lajmin që ta çojë diku tjetër, është burimi me të cilin duhet të merresh. E them këtë për të nënvizuar se informacioni mbi gjithçka që institucionet publike bëjnë dhe mbi gjithçka që ekziston në letër, me firmë dhe vulë në atë hapësirë, është pronë publike, që shteti nuk ka të drejtë t’ua mohojë qytetarëve”, tha Rama.