Kryeministri: Nuk ka më paga 250 mijë lekë të vjetra në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sërish komentuesve në rubrikën “Sy m’sy” dhe ka deklaruar se në Shqipëri ka kohë që nuk ka rroga 250 mijë lekë të vjetra dhe 57% prej tyre nuk kanë asnjë taks.
Rama ka theksuar se turizmi dhe ndërtimi në vendin tonë paguhet sa në Greqi dhe më me pak taksa.
“Në Shqipëri, punoja në një karburant dhe merrja 250 mijë lekë (të vjetra) rrogë, ndërsa në Greqi punoj çoban dhe marr 1000 euro“, ishte komenti i një qytetari në faqen e kryeministrit Edi Rama në “Facebook”.
“E para ka kohë që nuk ka rroga 250 mijë lekë të vjetra në Shqipëri, edhe e dyta rroga është ajo që duket, po pas asaj ka dhe taksa. Që ta dini 57% e rrogave në Shqipëri nuk kanë asnjë taks, ndërsa 36% e tyre kanë nga 4 deri në 10%. E dyta, në turizëm dhe ndërtim këtu merr sa në Greqi dhe paguan më pak taksë, ndërsa kur je jashtë qytetit tënd, fjetjen ta paguan kompania. Këto janë fakte.
Edhe e treta, avash me kekun dhe byrekun se nuk janë më kohët si dikur. Gjithkush le t’i shohë me qetësi opsionet e veta dhe ta shohë nëse do të kthehet apo jo. Jemi në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030. Për pak vite do jemi vend anëtar në BE. Gjithçka do të ndryshojë”, tha ndër të tjera Rama.