Kryeministri Rama: Investime për fermerët

 

Skemat e mbështetjes në bujqësi po japin efektet e para pozitive, me rritjen e investimeve në infrastrukturën prodhuese. Dëshmi e kësaj ishte edhe vizita që Kryeministri Edi Rama bëri në një fermë të mbarështimit të gjësë së gjallë në Shkodër. Aveniri, një fermer që ka përfituar nga skemat e mbështetjes financiare nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, tha se me këtë mbështetjen ai po rrit kapacitetet e fermës së tij dhe si rrjedhojë, edhe numrin e nënkontraktorëve në procesin e prodhimit. “Kjo do na dyfishojë numrin e punëtorëve. Por me zinxhirin që krijohet, bëhen edhe nënkontrata dhe kjo shton rrethin e punësimit,”– tha ai.

Suela Popa, drejtoresha e AZHBR, tha se për qarkun e Shkodrës, AZHBR ka vënë në dispozicion 1.5 miliardë lekë për skemat e mbështetjes, shpërndarja e të cilave ka përparësi infrastrukturë prodhuese. “Ne sot jemi në Shkodër për të konfirmuar shpërndarjen e një fondi prej 1.5 miliardë lekë jo vetëm për subvencione dhe bimët medicinale, e cila që është një nga avantazhet konkurruese të zonës, por mbi të gjitha për krijimin e një infrastrukturë bashkëkohore për të afruar bujqësinë dhe zhvillimin rural në vend me parametrat e BE.”

Kjo qasje tërësisht inovative, për të mbështetur punësimin përmes zhvillimit të zinxhirit të prodhimit, për Kryeministrin Rama, është çelësi i transformimit nga bujqësia e mbijetesës në bujqësinë që gjeneron zhvillim për ekonominë familjare dhe ekonominë kombëtare.

“Qëllimi jonë me skemat e mbështetjes është të mbështesim investime prodhuese që krijojnë cikël të mbyllur dhe përfitojmë nga cikli i mbyllur jo vetëm punësimin që është brenda për brenda asaj mikro apo ndërmarrjeje të plotë bujqësore, por gjithë ciklin që krijohet nga të gjithë ata që janë përfshirë në zinxhirin e prodhimit. Prandaj ju kemi mbështetur me shumë dëshirë, pasi ky është investim strategjik për gjithë zonën dhe do krijojë një cikël ku do përfshihen shumë njerëz, pastaj, në punë. Duhet ta shohim procesin e prodhimit jo nëpërmjet tokës së copëzuar, por përmes bashkimit të njerëzve në një interes prodhimi. Pra, në qoftë 50 hektarë janë të copëzuar me nga 5 dynymë, është e rëndësishme që ata që i kanë këto 5 dynymë dhe që jetojnë këtu të përfshihen në këtë proces, të marrin edhe ata pjesën e tyre në këtë ndërmarrje, duke qenë edhe kontributorë të ndërmarrjes, por duke marrë edhe hakun për punën që bëjnë.” 

Rritja e kapaciteteve teknologjike dhe të infrastrukturës në ciklin e prodhimit do të sjellë përfshirjen në proces të mijëra njerëzve në gjithë Shqipërinë.  

SHKARKO APP