Kryeministri Rama: Këtë vit presim fluksin më të madh të turistëve
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot bashkitë që kanë bregdet se këtë vit do të përballen me numrin më të madh të turistëve.
Rama tha se Ushtria ka ndërhyrë në këtë fazë të fundit për të pastruar mbetjet që janë krijuar nga prishja e ndërtimeve pa leje në bregdet dhe pas kësaj faze, duhet të jenë qytetarët ata që duhet ta mbajnë bregdetin e pastër.
“Do jetë sezoni më i pastër edhe për shkak të punës së jashtëzkaonshme që është bërë përditë, por edhe për shkak të instrumentit financiar që është vendosur për t’u ardhur në ndihmë bashkive bregdetare që po jetojnë një sezon shumëfishimi të popullsisë. Nëse nga njëra anë ne dhe bashkitë jemi për të pastruar, të tjerët duhet të jenë për të mos ndotur. Ky është elementi i parë i abetares së patriotizmit, të mos ndotim shtëpinë tonë të përbashkët. Duhet të vazhdojmë ti rrimë mbi kokë kësaj pune, sepse sipas të gjitha gjasave do të jetë edhe sezoni me fluksin më të madh të turistëve dhe me nivelin më të lartë të konsumit. Përveçse të ardhura më të mëdha, do të ketë edhe më shumë mbetje. Me hyrjen e forcave të ushtrisë në këtë fazë të fundit për t’i dhënë një dorë të fundit gjithçkaje që ka mbetur dhe për të pastruar edhe mbetjet e shembjeve të të gjitha abuzivizmave në rënë përmbyllet një fazë“, tha Rama.
“61 bashkitë kanë buxhetuar 10 milionë euro më shumë për zërin e menaxhimit të mbetjeve. Po vëzhgojmë edhe performancën e çdo bashkie. Puna më e madhe dhe sfida më e madhe është puna që duhet të bëjmë me ndryshimin e mentaliteteve. Kjo është sfida e këtij mandate”, tha Kumbaro.