Kryeministri Rama sulmon Europën nga Turqia e Erdogan

Kryeministri Edi Rama u prit dje në Turqi me një ceremoni speciale zyrtare nga presidenti turk, Rexhep Tayyp Erdogan. Drejt pallatit të ri presidencial turk, “Rezidenca Çanakala”, të ndërtuar nga Erdogan sipas stilit të sulltanëve, kreu i qeverise shqiptare hyri me një limuzinë luksoze të shoqëruar nga reparte të kavalerisë. Roja e nderit që priti kryeministrin shqiptar ishte veshur me uniforma ushtarake të jeniçerëve dhe spahinjve që i përkasin perandorisë osmane. Kuajt e paradës dhe simbolet ushtarake të perandorinë osmane që mbajti të pushtuar për 500 vjet Shqipërinë i dhanë vizitës së kryeministrit Rama, pamjen e një takimi që dukej sikur na kthente pas qindra vite në kohë. Në Ankara dukej sikur dje kishte mbërritur jo kryeministri i Shqipërisë, por pashai që administronte Vilajetin e Shqipërisë dhe po takohej me sulltanin për të diskutuar hallet e perandorisë.  Simbolika e sulltanit që takohej me vasalin e tij të emëruar në një vilajet të perandorisë u bë edhe më e dukshme gjatë fjalimeve që Erdogan dhe Edi Rama mbajtën në konferencën për shtyp.

Erdogan dhe Rama i quajtën dy shtetet si vende vëllezër që kanë histori të përbashkët dhe që kanë luftuar bashkë! Historia na ka bashkuar si vende, por jo në raportet e vëllazërisë dhe miqësisë, por në ato të marrëdhënieve mes një vendi të pushtuar dhe një perandorie pushtuese. Sigurisht, në vizita të tilla qëllimi i takimeve nuk është të rishikojnë historinë, por shikimi nga e ardhmja. Dhe kryeministri Edi Rama shpalosi dje në Ankara platformën e një marrëdhënie speciale me Turqinë. Një marrëdhënie që i jep diplomacisë shqiptare një orientim të ri duke i ndryshuar kursin nga BE drejt Turqisë. Mediat në Tiranë i dhënë më shumë rëndësi kontratave me karakter ekonomik të firmosura mes dy vendeve, duke lënë në plan të dytë mesazhet gjeopolitike dhe sjelljen e qeverisë “Rama” si një vasale e Turqisë. Erdogan bëri një sërë premtimesh për Edi Ramën dhe të gjitha “dhuratat” duket se lidhen me fushatën elektorale të 25 prillit. Në fjalimet publike të Ramës dhe Erdogan janë të paktën dy momente që tregojnë se mbështetja e Erdogan për Shqipërinë ka pasur si çmim sulmet e Ramës ndaj BE-së dhe dorëzimin e gylenistëve Turqisë.  Pas premtimeve që mori nga Erdogan kryeministri Edi Rama i ka kthyer borxhin duke sulmuar Bashkimin Europian. Rama tha se Turqia e ndihmoi Shqipërinë gjatë pandemisë, ndërsa BE i mbylli dyert. Një deklaratë e tillë është diplomatikisht e pa vend, nëse kemi parasysh se BE ka dhënë rreth 100 milionë euro për pandeminë. Ambasadori i BE në Tiranë duhet të jetë i pari që duhet të shqetësohet për qëndrimet e tilla të qeverisë shqiptare. Pika tjetër e takimit ku Edi Rama u distancua qartë nga qëndrimet e BE është qëndrimi për organizatën e Fejtyllah Gylen. Edi Rama e cilësoi, ashtu si Erdogan, organizata terroriste FETO dhe premtoi se do të ndihmonte Turqinë në luftën kundër kësaj organizate. BE nuk e klasifikon FETO si organizatë terroriste, por ka akuzuar Erdogan për shkelje të të drejtave të njeriut në trajtimin e anëtarëve të kësaj organizate. Turqia ka kërkuar ekstradimin e një sërë eksponentësh të Gylen në Shqipëri dhe sekuestrimin e pronave të tyre. Me deklaratën e sotme Edi Rama duket se i ka dhënë gjithçka Erdogan duke shkelur dhe një sërë rezolutash të BE dhe SHBA. Këto dy qëndrime nuk janë të vetmet që tregojnë afrimin e Edi Ramës me modelin politik të Erdogan, por janë sinjalet më të dukshme të një kursi anti BE që Edi Rama e shpalosur sot në krah të Erdogan. Qëndrimet kundër BE në Turqi nuk janë thjesht servilizëm diplomatik, por përgatitje e terrenit nga qeveria “Rama” për të gjetur aleatë të tjerë strategjikë jashtë Bashkimit Europian. Kur në vendet e BE qeveria “Rama” po shihet si një model i ngjashëm me regjimet, kryeministri ka zgjedhur aleatët që shpresojnë ta ndihmojnë për të qëndruar në pushtet. Ndaj vizita në Turqi nuk ishte diplomatike, por tërësisht politike dhe lidhet vetëm me pushtetin e Ramës dhe sigurisht me zgjedhjet e 25 prillit.

Natyrisht që nuk kemi asgjë kundër miqësisë me Turqinë, por nuk mund të zhbëhet historia 500 vjeçare që ishin pushtues e jo vellëzër!

Mili Xhani

SHKARKO APP