Kryeministri Rama: Të mbrojmë gjuhën shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalimin në Kongresin e Arsimit me fjalimin e Dervish Himës ndërsa theksoi se arsimi është arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit, por sot gjuha është më e rrezikuara.

Rama thekson se duhen gjetur mënyura që forcojnë pozicionin e gjuhës në kaosin gjuhësor dhe komunikativ.

Të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një qëllim kemi, përparimin e kombit shqiptar. Me këtë fjali e nisi fjalimin e tij Dervish Hima në hapjen e punimeve të Kongresit të Dytë të Manastirit dhe kur ka kaluar një shekull, një gur themeli që u fokusua te gjuha, më pas tek arsimi si arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit, ne mblidhemi këtu në një kongres që është shumë modest për nga pesha por në thelbin e vet ka të njëjtin shqetësim, përparimin e kombit shqiptar.

Mësimi i shqipes dhe përparimi ishte për delegatët e kongresit të Manastirit, mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit. Shumëkush mund të pyesë, po nga se do ta mbrojmë ne gjuhën shqipe, ndërkohë që përgjigja është e thjeshtë. Mjafton të harxhojë secili një orë për të lundruar në kanalet e informacionit që të shohë çfarë ndodh me gjuhën shqipe, me shenjat e pikësimit, me pikat mbi ë, me formulimin e strukturës së fjalive dhe me ortografinë në tërësi.

Gjuha është më e rrezikuara dhe kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë por të gjitha gjuhëve që sot janë në këtë presion të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe shpejtësia e komunikimit bëhet gjithmonë e më marramendëse. Besoj që na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne jemi thellësisht të përfshirë”, tha Rama.

SHKARKO APP