Kryeministri u drejtohet pedagogëve: Asnjë lek nuk do të merrni! Keni një spiun në krye. Kundërpërgjigjet Berisha: Elita e Kombit në protestë
Nga Gjirokastra ku ndodhet në takime, kryeministri Rama nuk ka kursyer protestën e pedagogëve të universiteteve publike.
Ja se çfarë tha ndër të tjera kryeministri Rama: “Nuk mund të dalësh e të bësh protestë dhe të mos bësh mësim, në një kohë që paga është rritur. Pedagogët kanë mundësi të dyta duke punuar edhe në universitete private. Një pjesë e pedagogëve nuk deklarohen nga universitetet private, por për këtë çështje do të bëjmë veting. Bëjnë protesta për të çuar ujin në çorbën e rublave, ‘non gratave’ dhe spiunëve. Kush po i shantazhon. Të bësh protesta si skuth. Asnjë pakt nuk ka me ta, puna jonë nuk është të bëjmë pakte pas shpinës suaj”, tha Rama.
Sipas tij sindikata e tyre drejtohet nga anëtar i SHIK-ut ndërsa tha se ata që dalin në protestë të harrojnë rritjen e pagës dhe se duhet ta nxjerrin pagën vetë me anë të projekteve.
“Ata, pedagogët me një të SHIK-ut në krye, që kërkojnë rritje page, kur jo vetëm iu është rritur, por më shumë se të tjerët, që përveç qeverisë, ua rrit autonomia. Autonomia është përgjegjësi, ata që dalin ta harrojnë rritjen, sepse do e kenë zjarrfikësat dhe pensionistët të parët. Mesazhi im është i thjeshtë, nuk jeni as si pensionistët, as si mësuesit, as policët e zjarrfikësit. Jeni me autonomi, do e nxirrni vetë me projekte. Pjesa më e madhe e pedagogëve nuk dalin për të bërë selfie te dera për t’i nxjerrë mediat, por janë në mësim”, u shpreh Rama.
Por i mënjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryeministrit dhe kryetarit të PD, Sali Berisha. Ai në mbledhjen e grupit parlamentar të PD tha se pedagogët u keqtrajtuan vitet e fundit nga qeveria e Edi Ramës. Me tej ai theksoi se elita e Kombit ndodhet në protestë, por kryeministri i shantazhon dhe përçmon pedagogët.