Kryeparlamentari Konjufca: Raportet janë lënduar, por Rama dhe Kurti do takohen së shpejti
Pavarësisht krisjes në marrëdhënien Kosovë-Shqipëri, kryeparlamentari Glauk Konjufca la të kuptohet se do të ketë së shpejti një takim dypalësh Rama-Kurti. “Kjo do rregullohet se shpejti, ata do të takohen së shpejti“, tha ai. Konjufca përmendi edhe “krizat” që sipas tij Kosova i ka pasur me Shqipërinë ndër vite, si për të treguar se tensioni aktual mund të përfshihet po ashtu ndër to.
“Rama ishte i shqetësuar sa i përket presionit ndërkombëtar, por mua ma la përshtypjen se ai po e përjeton presionin më shumë se ne. Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë. Kosova gjithmonë ka bërë hapa gjigantë në kauzën e vet, në çdo kohë, për sa kohë që Republika e Shqipërisë i ka qëndruar prapa. Mua më kujtohen vetëm 2-3 momente në vitet ‘90, edhe gjatë kohës së presidentit Rugova, ku Shqipëria i ka dalë kundër Kosovës. Ato kanë qenë raste shumë të rralla.
Vetëm një moment ose 2 kanë qenë momente krizash, kur kryeministri shqiptar i ka dalë kundër presidentit ose ministrave. Ne patëm një krizë në 2017-n, kur u duk se sikur për Kosovën, edhe Republika e Shqipërisë po është në anën e shkëmbimit territorial. Mendoj se kjo e dëmtuar Republikën e Kosovës. Mendoj se e ka dëmtuar edhe ideja e ”Ballkanit të Hapur”. Sepse ky është dallim nga ajo që ka nevojë Kosova.
E tani e treta është kjo që po e dëmton Republikën e Kosovës, kur ne jemi në të drejtën tonë dhe ku nuk po na kupton as Republika e Shqipërisë. Prej kësaj nuk ka gjëra pozitive, me këto pozicione Kosova mundet vetëm të dëmtohet”,-tha kryeparlamentari i Kosovës.