Kryeparlamentari Ruçi, urim me rastin e Vitit të Ri: T’i lemë të treten kujtimet e një viti të thyer, në horizont po vijnë ditë të bukura për të gjithë
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e vitit të ri 2021. Ruçi uron që pas një viti të vështirë që lamë pas, le të jetë viti 2021 një vit normal, me shëndet, gëzim e mirëqenie për të gjithë.
Ai shprehet në mesazhin e tij se shqiptarët, ashtu si edhe gjithë njerëzimi, mbijetuam dhe po e mundim të keqen.
“Pas një viti të vështirë që lamë pas, le të jetë viti 2021 një vit normal, me shëndet, gëzim e mirëqenie për të gjithë. 2020 u thye sa pa nisur mirë, për shkak të pandemisë që pushtoi globin. Pas dy muajve normal, dhjetë të tjerët ishin një sfidë e vështirë që ndodh njëherë në shekull. Por shqiptarët, ashtu si edhe gjithë njerëzimi, mbijetuam dhe po e mundim të keqen. Ekonomia mbijetoi në saj të sakrificave të fermerëve, ndërtuesve dhe turizmit. Sistemi shkollor mbijetoi në saj të përkushtimit të mësuesve, nxënësve, studentëve e prindërve. Sistemi shëndetësor u bë avangarda e shërbimeve publike dhe shpëtoi mijëra jetë njerëzore, në saj të titanizmit të mjekëve e infermierëve, këtyre promethenjve të shëndetit. Për të gjithë shpreh sot mirënjohjen dhe urimet e mia më të përzemërta. Dashuria njerëzore, solidariteti dhe humanizmi u shfaqën si rrallë ndonjëherë në historinë tonë dhe të njerëzimit. Të goditur, por të paepur; të mbyllur në vatrat familjare, por me zemra të hapura; të prekur në të ardhurat e kursimet, por jo në bujarinë tonë; të kufizuar nga kënaqësitë e jetës, por optimistë se po hyjmë në një vit që do të jetë i bukur sepse do të jetë normal. Le t’i lemë të treten kujtimet e vështirësive që kaluam dhe të gëzojmë se në horizont po duken ditë të bukura për të gjithë!”, shkruan në urimin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.