Kryeparlamentarja Lindita Nikolla: I jemi mirënjohës Madeleine Albright, ka kontribut përcaktues në çlirimin e Kosovës

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla në mesazhin e saj për ndarjen nga jeta të sekretares së parë grua të Shtetit Amerikan, shpreh mirënjohjen për Madeleine Albright në lidhje me kontributin e saj përcaktues për çlirimin e Kosovës. ”Albright kontribuoi që Shtetet e Bashkuara të bëhen një udhëheqës moral, komb dhe faktor i domosdoshëm dhe thelbësor në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, duke kombinuar rolin vendimtar të ShBA me aleancat dhe vendimet multilaterale”,-lexohet në mesazhin e Nikollës.

Mesazhi i plotë

Sot mësuam me dëshpërim ndarjen nga jeta të Madeleine Albright, ish-Sekretares së Shtetit të ShBA.

Albright ishte një politikane, shtetare dhe diplomate e shquar, e cila i shërbeu me përkushtim atdheut të saj të dytë, ShBA, ku emigroi në moshën 11-vjeçare nga vendlindja e saj, Çekosllovakia. Ajo hyri në shërbimin publik dhe jetën politike për tiu përkushtuar vendit të saj, kombeve dhe njerëzve kudo në planet, si një njeri i lirë, vizionare dhe luftëtare e paqes.

E 64-ta Sekretare e Departamentit të Shtetit dhe e para grua në këtë detyrë, Albright kontribuoi që Shtetet e Bashkuara të bëhen një udhëheqës moral, komb dhe faktor i domosdoshëm dhe thelbësor në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, duke kombinuar rolin vendimtar të ShBA me aleancat dhe vendimet multilaterale.

Shqipëria dhe shqiptarët i jemi mirënjohës Sekretares Albright për kontributin e saj përcaktues në vendimin për sulmet e NATO-s, të cilat çuan në çlirimin e Kosovës.

Pushoftë në paqe!

SHKARKO APP