Kryeparlamentarja Lindita Nikolla letër Parlamentit të Ukrainës: Luftën do ta fitoni
Shqipëria ishte vendi i parë që hapi dyert për ukrainasit dhe në Këshillin e Sigurisë në OKB, çoi një rezulotë. Ndaj në emër të popullit shqiptar, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk.
Në letër Nikolla shpreh solidaritetin dhe simpatinë për qëndrimin në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale nga pushtimi rus. Po ashtu letra është dërguar pasi parlamenti i Shqipërisë miratoi një rezolutë për mbështetjen e sovranitetit të Ukrainës.
“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar”, shprehet Nikolla.
Rezoluta bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Rusia në Ukrainë, për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës, sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.
“Shpreh bindjen se populli i Ukrainës do ta fitojë këtë luftë dhe do të ketë mundësi të jetojë i lirë e sovran në vendin e vet”, shkruan Kryetarja e Kuvendit.