Kryeparlamentarja Lindita Nikolla: Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit një koncert besimi, sakrificash dhe shprese

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përshëndetur sot pelegrinët bektashinj në Malin e Tomorrit. Nikolla shkruan në një postim në facebook, se jehona e gëzimit të pelegrinëve përcillet e shumëfishohet në familjet shqiptare dhe na rikujton se atdheu, përkushtimi e toleranca janë vlera sipërore që shënojnë trashëgiminë e Bejtashinjve në kulturën e shqiptarëve. ”Pelegrinazhi në Malin e Shenjtë të Tomorit është më shumë se një ritual fetar. Është një koncert besimi, përkushtimi, sakrificash, shprese e paqeje”.

Postimi i plotë

Përshëndes besimtarët bektashinj, të cilët janë ngjitur këto ditë për pelegrinazh në Malin e Tomorit.

Nga shumë krahina të vendit, nga qytete e fshatra, nga male, fusha e lugina, nga Shqipëria dhe Diaspora, qindra-mijra besimtarë e qytetarë kanë lenë përditshmërinë e tyre dhe i janë drejtuar Malit të Tomorit, këtij Froni të Perëndive, Tempulli të botës fetare të shqiptarëve, për të kryer ritet e kurbanit, faljes dhe urimet për shëndet, mirësi e paqe.

Pelegrinazhi në Malin e Shenjtë të Tomorit është më shumë se një ritual fetar. Është një koncert besimi, përkushtimi, sakrificash, shprese e paqeje.

Jehona e gëzimit të pelegrinëve përcillet e shumëfishohet në familjet shqiptare dhe na rikujton se Atdheu, Përkushtimi e Toleranca janë vlera sipërore që shënojnë trashëgiminë e Bejtashinjve në kulturën e shqiptarëve. Dashuri, bekim e paqe për të gjithë.

SHKARKO APP