Kryeparlamentarja Nikolla letër deputetëve: Në çdo debat të respektojmë kodet tona zakonore
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla në një letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në mbyllje të sesionit parlamentar, thotë se në punën e saj të përditshme është përpjekur t’i qëndrojë besnike angazhimit publik, kjo për të qenë e paanshme, në mënyrë që të gjithë deputetët të gëzojnë hapësirat dhe aksesin në seancat plenare. Kolege dhe kolegë të nderuar, I bëj apel ndërgjegjes Suaj qytetare që në çdo debat të respektojmë kodet tona zakonore, kuvendet e odat shqiptare, të gjithë atë që ne e konsiderojmë traditë të vyer dhe krenohemi me të.
Letra e plotë
Të nderuara kolege, Të nderuar kolegë!
Me rastin e mbylljes së sesionit parlamentar dëshiroj t’ju falënderoj të gjithë Ju, deputetë të mazhorancës dhe opozitës, për kontributin Tuaj në debatin parlamentar të të gjitha përmasave, në ushtrimin e funksioneve dhe në veprimtaritë e Kuvendit të Shqipërisë.
Sesioni që sapo mbyllëm ishte një kohë punësh të rëndësishme për hartimin e akteve ligjore, për kontrollin dhe monitorimin e qeverisë dhe mbështetjen e institucioneve të pavarura. 16 seancat plenare, 85 mbledhjet e komisioneve të përhershme dhe dhjetëra veprimtari të tjera parlamentare i kemi realizuar bashkërisht, në komunikim me njëri-tjetrin, ku ka mbizotëruar transparenca në rritje, si shërbim ndaj qytetarëve.
Në punën time të përditshme jam përpjekur t’i qëndroj besnike angazhimit tim publik për të qenë e paanshme, në mënyrë që të gjithë deputetët të gëzojnë hapësirat dhe aksesin në seancat plenare, në komisionet dhe veprimtaritë e tjera parlamentare sipas Kushtetutës dhe Rregullores. Janë të mirëpritura debatet dhe mospajtimi midis shumicës dhe pakicës. Ato përbëjnë thelbin e demokracisë parlamentare. Kultura joetike dhe joqytetare e debatit është një shembull i keq për shoqërinë dhe, si e tillë, e papranueshme dhe e dëmshme.
Kolege dhe kolegë të nderuar, I bëj apel ndërgjegjes Suaj qytetare që në çdo debat të respektojmë kodet tona zakonore, kuvendet e odat shqiptare, të gjithë atë që ne e konsiderojmë traditë të vyer dhe krenohemi me të. Liria e fjalës është dhe do të mbetet thelbi i demokracisë. Që kjo liri të mos cenohet kurrë, fjala duhet të udhëtojë gjithmonë përkrah përgjegjësisë, akuza përkrah faktit.
Me modesti Ju sjell në vëmendje maksimën e Papa Françeskut se moskontrolli i fjalëve të këqija sjell edhe moskontrollin e ndjenjave dhe shkakton një ndotje shumë më të madhe se ndotja e mjedisit. Përfitoj nga rasti për të përsëritur urimin tim për një vit të ri të mbarë për vendin tonë të dashur, Shqipërinë, si dhe shëndet e gëzime në familjet Tuaja!
Sinqerist, Lindita Nikolla