Kryeparlamentarja Nikolla pret ambasadoren e Kanadasë: Bashkëpunim në fushën e sigurisë kibernetike
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, priti në një takim Ambasadoren e Kanadasë, rezidente në Itali, Elissa Golberg. Gjatë takimit u diskutua mbi zgjerimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Kanadasë.
Kryetarja Nikolla përcaktoi si aspekte prioritare bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike dhe bashkërendimin e punës midis komisioneve përkatëse për sigurinë dhe mbrojtjen. Bashkëpunimi do të intensifikohet edhe midis shërbimeve parlamentare dhe praktikave të suksesshme të ligjbërjes së mbështetur në analiza kërkimore.
Ambasadorja Golberg falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen dhe nënvizoi se Kanadaja është një vend mik i Shqipërisë dhe Dhoma e Përfaqësuesve të Kanadasë është e interesuar për zgjerimin e bashkëpunimit më Kuvendin e Shqipërisë..
Po ashtu Golberg tha se nëntori do të jetë muaji i trashëgimisë shqiptare në Kanada dhe se gjatë këtij muaji do të zhvillohen veprimtari të shumta për njohjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.