Kryeparlamentarja Nikolla reagon pas tërheqjes së Nancy Pelosit nga postet drejtuese në Kongresin amerikan
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, Nancy Pelosi, njoftoi tërheqjen nga pozicionet drejtuese në Kongres, por theksoi se do të vijojë të përfaqësojë qytetarët e Kalifornisë si anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Në reagimin e saj me këtë rast, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u shpreh se “Nancy Pelosi është politikania e shtetarja që theu barrierat dhe bëri histori, si e para grua Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA.
Me vizion të qartë për të ardhmen e kombit amerikan dhe të shoqërisë bashkëkohore, tregoi një lidership efektiv për dy dekada dhe energji të pakufishme, si në maxhorancë, ashtu edhe në opozitë.
Lidershipi i saj pati dhe do të vijojë të ketë një impakt të pakrahasueshëm në shoqërinë dhe politikën amerikane e botërore.
Nancy Pelosi është gruaja që nuk urreu kurrë dhe politikania e kryeparlamentarja që as u mposht prej urrejtjes dhe as lejoi që urrejtja të sundojë politikën dhe Dhomën e Përfaqësuesve.
Si Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve kundërshtoi e refuzoi agendën e opozitës, por me sjelljen parlamentare korrekte tregoi gjithmonë respekt ndaj saj.
Tërheqja nga pozicionet drejtuese në Kongres shënon jo fundin, por kulmin e karrierës së saj, për shkak të standartit që vendosi.
Kënaqësi, emocione e mbresa të pashlyeshme nga takimi me znj. Pelosi në Samitin e Kryeparlamentarëve në Zagreb, më 25 tetor!”