Kryeparlamentarja Nikolla takon reporterët e Këshillit të Europës: Kuvendi, kantier pune për avancimin e reformave
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Joseph O’Reilly dhe Asim Mollazada. Pjesë e takimit ishte pjesë edhe shefja e Zyrës së KiE në Shqipëri, Jutta Gützkow.
Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet politike në vend, ecurinë e reformave, me fokus të veçantë në reformën Zgjedhore dhe reformën Territoriale; ecurinë e procesit të integrimit evropian si edhe përvojën e Shqipërisë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike e parlamentare dhe qeverisjen e vendit.
”Bashkëpunimi i Shqipërisë me KiE dhe i Kuvendit të Shqipërisë me Asamblenë Parlamentare të KiE është i shkëlqyer. Shqipëria po avancon në reformat zhvillimore, demokratizuese dhe integruese, ka kryer me sukses detyrat në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe pret mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në. Kuvendi i Shqipërisë është aktualisht një kantier pune për avancimin e reformave zhvillimore, demokratizuese dhe integruese. Opozita dhe grupet e saj parlamentare kanë të gjithë aksesin e nevojshëm për të kontribuar për reformat dhe për vendin”,-tha kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Po ashtu Nikolla diskutoi me reporterët edhe mbi përvojën e Shqipërisë për rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën parlamentare dhe qeverisjen e vendit.