Kryepeshkopi Anastas fiton betejën me COVID-19, del nga spitali
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, pas një trajtimi mjekësor dymbëdhjetëditor në Pavijonin e Terapisë Intensive të Spitalit “Evangelismos” ka dalë nga spitali. Kryepeshkopi do të vazhdojë trajtimin mjekësor të nevojshëm për koronavirusin në shtëpi, në Athinë.
Lajmi është bërë i ditur nga Kisha Ortodokse në Shqipëri. “Duke lavdëruar Perëndinë për ecurinë e kësaj sprove të rëndë, Kryepiskopi shpreh mirënjohjen e tij për mjekët dhe infermierët e Pavijonit të Terapisë Intensive, nën drejtimin e profesoreshës znj. Anastasia Kotanidhu. Fortlumturia e Tij falënderon nga thellësia e zemrës për urimet vëllazërore shumë të vyera Tërëshenjtërinë e Tij, Patriarkun Ekumenik, z. Vartholome; Fortlumturitë e tyre, patriarkët e Aleksandrisë, z. Theodhor; të Antiokisë, z. Joan; të Jeruzalemit, z. Theofil; të Moskës, z. Kirill; Fortlumturitë e tyre, Kryepiskopin e Qipros; z. Krisostom dhe të Athinës, z. Jeronim, si edhe shumë hierarkë të tjerë të shtrenjtë. Kryepiskopi falënderon ngrohtësisht Hirësinë e Tij Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman, Kryegjyshin Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Arqipeshkvin Mitropolitan të Shkodrës, Mons. Anxhelo Masafra”,- thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse.
Kryepeshkopi Anastas ka shprehur “falënderime të ngrohta për mbështetjen e ngrohtë të Shkëlqesive të tyre, për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta; për kryeministrin, z. Edi Rama; për Presidenten e Republikës së Greqisë, znj. Ekaterini Sakelaropulu; Kryeministrin, z. Kiriako Mitsotakis; për ish-presidentët e Republikës së Greqisë, z. Prokopi Pavlopulos dhe z. Kristo Sarcetakis; për kryetarin e Opozitës Parlamentare, z. Aleksi Cipras; për ish-kryeministrin, z. Andonis Samaras; për ministrat z. Niko Dendias dhe Miltiadhis Varvitsiotis; për z. Miki Theodhoraki, për Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi; për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj; për kryetarin e PBDNJ-së, z. Vangjel Dule; për gazetarë shqiptarë dhe grekë“.
Gjithashtu, zyra e shtypit e Kishës Ortodokse njofton se Kryepeshkopi “falënderon me të gjithë zemrën miqtë e panumërt, klerikë dhe laikë, të njohur dhe të panjohur, që e mbështetën me lutjet e përzemërta dhe me shprehjet spontane të dashurisë së tyre gjatë kësaj kohe. Pjesëmarrja e heshtur në vuajtjen e popullit të Perëndisë ndihmon në mënyrë mistike në arritjen e kohezionit social. Dashuria spontane e sinqertë gjithmonë fal fuqi në çastet e vështira të njerëzve. Dashuria është gjëja më e vyer që mund të ekzistojë në botë“.