Kryepeshkopi Anastasi: Pashkën sivjet e festojmë në shtëpi, Krishti nuk do të na braktisë
Kryepeshkopi i Tiranës, i Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, njoftoi se festa e Pashkës më 19 prill do të festohet në shtëpi. Ai u shpreh se kishat në Shqipëri dhe në mbarë botën, kanë praktikuar detyrimin për të qëndruar në shtëpi, si dhe për ta çliruar veten nga frika e ankthi.
Jo vetëm Shqipëria, por edhe shtetet e tjera të botës, po vuajnë nga pandemia e COVID-19, ku deri më tani ka mbi 1.1 milionë të infektuar dhe 50 mijë të vdekur,
“Njoftuam besimtarët tanë se anuluam të gjitha shërbesat në Kishat tona dhe i këshilluam t’u shmangeshin përqafimeve tradicionale, puthjes së objekteve të shenjta në kishë, puthjes së duarve të klerikëve dhe çdo lloj kontakti fizik. Çdo të diel dhe të Kremte të Madhe, ne celebrojmë, me dyer të mbyllura, Liturgjinë Hyjnore në Kishëzën e Qendrës Sinodike. Këto shërbesa transmetohen nga Radio “Ngjallja” e Kishës sonë si dhe mund të ndiqen online. Edhe në Dioqezat e tjera të vendit, shërbesat kishtare do të vazhdojnë të kryhen me dyer të mbyllura në kisha të vogla. Këshilluam personat më të rrezikuar ndaj kësaj pandemie, të moshuarit si dhe fëmijët, që të qëndrojnë në shtëpi për një periudhë të caktuar kohore”, thotë kryepeshkopi Anastas.
Ne prag të periudhës së përgatitjes së Pashkës, kryepeshkopi i Shqipërisë, thotë se këtë herë festa do të kremtohet jo përmes dritës paskale nga një qiri në tjetrin, sipas traditës, por përmes transmetimit nga njëra zemër në tjetrën të dritës së paqes.
“Meqenëse jemi në periudhën e përgatitjes për Pashkën, le të kujtojmë se Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur u dhuroi nxënësve të Tij paqen dhe lirinë nga frika, duke u premtuar atyre se Ai do të qëndronte me ta në të gjitha sprovat e mundimet deri në fund të kohëve. Ne duhet të rrisim besimin tonë në praninë e Tij dhe në faktin se Ai nuk do të na braktisë në sprovat tona. Le ta kremtojmë Pashkën të lirë nga çdo sindromë frike dhe ankthi, le të bëjmë rezistencë. Këtë vit, ndoshta nuk do të mundim ta transmetojmë dritën paskale nga një qiri në tjetrin – siç është zakoni në Kishat Orthodhokse. Në vend të saj, le të transmetojmë nga njëra zemër në tjetrën dritën e shpresës dhe të mospasjes frikë në Zotin tonë të Ngjallur”, tha kryepeshkopi Anastas.