Kryepolici Gledis Nano në Berlin: Do rrisim hetimet kundër grupeve kriminale
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano këtë herë në turin e takimeve me homologët, është ndalur në Berlin. Ai u prit në një takim nga Presidenti i Zyrës Federale të Krimeve të Gjermanisë, Holger Münch dhe nga zëvëndëspresidentja e Zyrës Federale të Krimeve, Martina Link.
Në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit midis Policisë së Shtetit dhe BKA-së për ta ngritur në një nivel tjetër ndërveprimin midis dy policive. Ata diskutuan edhe për rritjen e hetimeve të përbashkëta kundër grupeve kriminale në fushën e krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit si dhe për shtimin e operacioneve të përbashkëta për këtë qëllim.
”Ju falënderoj për besimin, vlerësimin dhe mbështetjen dhe dua t’ju siguroj se unë jam shumë i vendosur dhe i qartë në prioritetet dhe sfidat që kemi si Polici e Shtetit dhe këto nuk mund t’i realizojmë dot pa bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, siç është dhe BKA-ja”,-tha Nano.