Kryepolici Nano: Kanabisi si radari, zero negociata me Policinë

Pas vizitave zyrtare në SHBA dhe në Greqi, drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano ka paralajmëruar drejtuesit në rrethe të policisë në lidhje me punën kundër lëndëve narkotike. Gjatë një takimi në Korçë, Nano theksoi edhe se për kultivim të lëndëve narkotike nuk duhet të ketë asnjë negociatë.

”Policia është e vendosur dhe do të qëndrojë e fortë ndaj çdo individi e grupi individësh që përpiqen të kultivojnë kanabis, me të gjitha format dhe instrumentat ligjorë që ka në dispozicion dhe me gjithë kapacitetin e saj njerëzor dhe logjistik. Përderisa këtu po flisnim për pamjaftueshmëri të kapaciteteve logjistike, u them që aktualisht kemi mbështetje nga Guardia di Finanza, për monitorim nga ajri.

Kemi shtuar numrin e dronëve në çdo drejtori vendore të Policisë, me qëllim monitorimin e atyre zonave të thepisura. Jo më larg se para dy javësh, njëri nga kolegët u aksidentua duke kontrolluar me kolegët e tjerë të Policisë, një zonë të thepisur malore. Për fat të mirë, ai është mirë nga ana shëndetësore. Ishte aq i thepisur terreni, saqë e kemi nxjerrë me një vështirësi shumë të madhe, duke përdorur helikopterin. Kjo tregon edhe një herë gjithë vendosmërinë që Policia e Shtetit ka për të kontrolluar çdo pëllëmbë të territorit në zonat e përgjegjësisë, nga afër.

Në konceptin tim personal, habitem kur dëgjoj se ka individë që vazhdojnë dhe kultivojnë, harxhojnë dhe investojnë kot. Nga kjo punë nuk do të fitojë askush dhe nuk ka për të fituar askush që kultivon dhe askush që bën sikur nuk shikon apo më keq akoma, ndihmon këta individë dhe grupe kriminale”.

SHKARKO APP