Kryesia e PD-së pro reformimit, Vokshi: Gati për sfidat që na presin në shtator
Kryesia e PD-së u mblodh pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe rikonfirmimit të kryetarit Lulzim Basha, ku i hapi rrugë një reformimi që përfshin të gjitha strukturat drejtuese.
Anëtarja e Kryesisë, Albana Vokshi, e cilëson hapjen e PD-së të domosdoshme për të përballuar me sukses sfidat. Ajo sqaroi se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.
”Pas një diskutimi të gjatë në Kryesinë e PD u miratua metodologjia e analizës së masakrës zgjedhore. Kjo analizë u bë për të gjetur faktorët e brendshëm dhe të jashtëm të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit. Është grupi i punës që do të përcaktojë të gjitha ndryshimet. Është e nevojshme të bëhen ndryshime sepse edhe partitë politike nuk duhet të mbeten në vend, duhet të gjejë veten e saj në përmirësim. Çdo gjë që sot bëhet në PD, çdo akt e proces duhet t’i shërbejë respektimit të qytetarëve shqiptarë për të votuar alternativën e PD dhe për t’u bërë bashkë për sfidat dhe betejat e PD në të ardhmen”,- tha për ”Vizon Plus”.