Kryesia shqiptare e OSBE/Bushati në Kongresin Amerikan: Të rrisim kredibilitetin e vendit ndërkombëtarisht
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ndodhet në Washington me ftesë të Komisionit të Helsinkit të Kongresit Amerikan për të zhvilluar një seancë informuese mbi sfidat që pritet të përballet kryesia Shqiptare e OSBE-së në vitin 2020. Në cilësinë e kreut të delegacionit parlamentar të OSBE-së, Bushati informoi komisionin e Helsinkit mbi prioritetet e Shqipërisë gjatë drejtimit të kësaj organizate.
”Dikur Shqipëria nuk ishte pjesë e diskutimeve që u konkretizuan me Aktin Final të Helsinkit. Që prej ministerialit të Milano në Dhjetor të vitit 2018, shtetet anëtare të OSBE nga tre kontinente, na besuan drejtimin e organizatës për 2020”. Marrja e kryesisë së OSBE për Shqipërinë ka një rëndësi të madhe për vendin. Pas anëtarësimit në NATO, vijoi ai, kjo është arritja më e madhe e politikës së jashtme të Shqipërisë.
”Nga një konsumatore e sigurisë dhe përfituese nga asistenca me programet e demokratizimit të OSBE, sot Shqipëria është kontribuese për çështjet e sigurisë. Le ta konsiderojmë këtë përgjegjësi si një platformë për të përmirësuar imazhin dhe rritur kredibilitetin e vendit në arenën ndërkombëtare”.
Gjatë vizitës së tij në Washington, Bushati zhvilloi një diskutim në Këshillin e Atlantikut mbi mjedisin e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor, si dhe zhvilloi një takim me të dërguarin special të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroazine Philip Reeker.