Kryetari Beci takon tregtarët që iu dogjën bizneset nga zjarri: Do e ndërtojmë më të rregullt se sa ka qenë
Pasojat e zjarrit që shkriu tregun e rrobave të përdorura në Shkodër pak ditë më parë janë të rënda. Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci u premtoi mbështetje financiare 80 tregtarëve të prekur. Ai deklaroi se fillimisht do të duhet një dakordësi me pronarin e truallit, më pas bashkia do të hartojë projektin për rivënien në punë të tregut.
“Të ulemi me zotërinë që ka tokën e të shikojmë të bëjmë një propozim plani për tokën, që ta kthejmë si duhet, në tregun që ka qenë, por më të rregullt dhe më të sigurt. Ta kthejmë këtë të keqe në një të mirë”, tha Beci.
Tregtarët falenderuan kryebashkiakun për gatishmërinë e treguar në ditën e zjarrit dhe kërkuan ndihmë për vënien në punë të tregut, që u shkrumbua totalisht nga zjarri.
Tregu i rrobave të përdorura u përfshi nga flakët pasditen e së premtes, ndërkohë që në lidhje me ngjarjen, policia ka identifikuar si fajtor dy të mitur. Bashkia Shkodër nga ana tjetër, ka nisur verifikimin e plotë të dëmeve edhe të banesave të prekura nga zjarri.