Kryetari i Bashkisë së Tiranës inspekton fillimin e punimeve në Lumin e Tiranës
Bulevardi i ri i Tiranës do të ketë një park qendror, rreth gjashtë herë më të madh se Parku Rinia, dhe me gjelbërim anash tij, duke u rikthyer në projektin origjinal. Ashtu siç edhe kishte premtuar gjatë fushatës elektorale, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shpallur sot vendimin për t’iu kthyer idesë fillestare të zhvillimit të Bulevardit të ri, me gjelbërim dhe jo pallate. Pas negociatave të suksesshme që ai ka zhvilluar në fundjavë me kompaninë angleze që ka konceptuar bulevardin e ri, Veliaj tha se punimet pritet të nisin shumë shpejt.
Gjithashtu, ai ka njoftuar edhe rinisjen e punimeve për rregullimin e Lumit të Tiranës, me qëllim shmangien e përmbytjeve në njësitë 9 dhe 11. “Kemi një lajm të mirë pas ndërprerjes që kemi pasur për çështjen e Bulevardit të ri dhe të Lumit të Tiranës. Arritëm me sukses të negociojmë me kompaninë britanike, e cila është firma e arkitekturës që ka konceptuar bulevardin e ri, për t’iu kthyer idesë origjinale, çka nënkupton një park qendror, në mes të zonës së Bulevardit të ri. Premtimi ynë publik është të shtojmë parqet dhe jo hapësirat ku ndërtohet”, tha Veliaj.
Këtë vendim Veliaj e ka bërë të ditur nga njësia 11, ku përveçse udhëtoi me autobusin e linjës së Laprakës për të inspektuar problemet e saj, ka ndjekur nga afër edhe punimet që po kryhen në lumin e Tiranës, për të shmangur përmbytjet e herëpashershme nga shirat të banorëve të kësaj zone. Më tej ai ka theksuar se me ndryshimin e projektit të ndjekur nga bashkia e shkuar dhe duke futur konceptin e parkut qendror në mes të gjithë projektit të bulevardit të ri, e gjithë zona nga Stacioni i Trenit e deri në Paskuqan do të kthehet në një zonë tërheqëse për këdo. “Do të sigurojë ndoshta parkun më tërheqës të quajtur Bulevardi “T”, ku bulevardi i ri i Tiranës, bashkë me zonën e lumit të Tiranës, do të jenë një ndër zonat rezidenciale dhe zonat komerciale më interesante të qytetit tonë”, tha Veliaj.
Por sipas kryetarit të Bashkisë, ky është një lajm i mirë në radhë të parë për gjithë banorët e kësaj zone të cilët nuk do të përballen me betonin që parashikonte projekti i mëparshëm dhe së dyti, pronat e tyre për shkak të këtij projekti do të marrin një vlerë shumë më të madhe. “Është një lajm i mirë për banorët e zonës, do u shtohet një park i ri, edhe me lumin, edhe me parkun qendror të Bulevardit. Është gjithashtu një lajm i mirë për të gjithë ata që që kanë pronë, do të ketë një rritje të vlerës së pronës dhe truallit në këtë zonë, çka do të bëjë që të mirat ekonomike të Tiranës të shpërndahen jo vetëm në qendër, por edhe në zona që deri dje ishin periferike. Besoj që brenda këtij mandati, do të jetë një nga zonat më të lakmuara të bashkisë së re të Tiranës” theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Bulevardi i ri i Tiranës do të shtrihet në zgjatimin e Bulevardit ekzistues në një zonë ende të pazhvilluar në aspektin urban. Ky bulevard do të përmbushë një sërë funksionesh duke shërbyer njëheri si zgjatim i aksit administrativ të bulevardit ekzistues, duke krijuar një seri hapësirash të rëndësishme të gjelbra në zemër të qytetit dhe duke e gjallëruar këtë zonë në të njëjtën kohë zonën me hapësira shërbimesh dhe aktivitetesh të ndryshme rekreative. Bulevardi i ri do të përfundojë në lumin e Tiranës, duke konkretizuar kështu të ashtuquajturin projekt të Parkut T.
Gjatë vizitës së tij në Njësinë 11 në Laprakë, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, prezantoi administratorin e kësaj njësie, Gentian Arapin.