Kryetarja e bashkisë Durrës, Sako: Janë hapur 750 biznese të reja. Do digjitalizojmë shërbimet e taksave dhe tarifave
Kryetarja e bashkisë së Durrësit dhe kandidate për një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 Majit, Emiriana Sako, në një takim këtë të mërkurë me përfaqësues të biznesit të madh për rritjen e pagës minimale, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, foli ndër të tjera për bizneset që janë aktualisht në qytetin e Durrësit.
“Durrësi ka një klimë të favorshme për biznesin sepse nëse krahasojmë shifrat 2019 me 2022 kemi një rritje me 750 biznese të reja, të cilat i janë shtuar numrit prej 14 mijë biznesesh që ka qyteti i Durrësit. Në lejet e ndërtimit që ne japim në bashki, vëmë re se kërkesa më e lartë është për ndërtimin e hoteleve, por ka një rol të madh edhe i kapanoneve industriale që ka arritur numrin 62, ndërsa hotelet 11, për një afat kohor 3-4 vjeçar. Sigurisht klima vjen edhe nga projektet që kemi nisur së bashku. Vëmë re se në Spitallë dhe Porto Romano ka nevojë për ndërtimin e kapanoneve të industrisë dhe shifrat janë domethënëse”, tha Sako.
Po ashtu, Sako tha edhe se në mandatin e ardhshëm, bashkia synon që të digjitalizojë të gjitha shërbimet e taksave dhe tarifave të bashkisë së Durrësit. “Gjithashtu kemi më shumë se 2000 nxënës që mbarojnë shkollat dhe kurset profesionale dhe numri i tyre shkon 4200 dhe duam të ndërtojmë një qendër që këta të rinj që dalin nga shkollat profesionale të futen në tregun e punës dhe do të jenë të parët që do të përfitojnë në tregun e punës”, tha ajo.