Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla: Mësuesit na frymëzojnë me dijet dhe përkushtimin ndaj nxënësve
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ishte sot e pranishme dhe përshëndeti në takimin “Nxënësit për Mësuesit”, kushtuar 7 Marsit, Festës së Mësuesit, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Në këtë takim morën pjesë anëtarët e Parlamentit të Nxënësve, mësuese e mësues nga të gjitha qarqet e vendit, deputetë, përfaqësues të institucioneve të arsimit, drejtues shkollash etj. Ishte gjithashtu e pranishme edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.
Kryetarja e parlamentit të nxënësve, Ester Ndreka, e cila hapi këtë takim, ku u uroi mësueseve e mësuesve festën e 7 Marsit dhe shprehu mirënjohjen e të gjithë nxënësve të Shqipërisë për mësuesit e tyre, për përkushtimin në mësimdhënie dhe edukimin qytetar e komunitar.
Ministrja Kushi falenderoi Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për organizimin e këtij aktiviteti të bukur. Duke përshëndetur mësueset dhe mësuesit e pranishëm, ajo u shpreh se “Ju na frymëzoni të gjithëve, jo vetëm nxenësit, por edhe ne si edhe prindët dhe të gjithë shoqërinë me misionin, dijet dhe përkushtimin tuaj”. Në vijim, përfaqësues të komisioneve të parlamentit të nxënësve shprehën vlerësimet e tyre për punën dhe dedikimin e mësuesve në mësimdhënie, formimin e shprehive dhe edukimin e vlerave demokratike, qytetare e komunitare.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, pasi u uroi nxënësit e mësuesit me rastin e 7 Marsit, i ftoi pjesëmarrësit të shprehin dashurinë e solidaritetin me nxënësit dhe mësuesit e Ukrainës, të cilat detyrohen të ndërpresin mësimet dhe jetën normale për t’ushpëtuar goditjeve të raketave dhe tankeve ruse. “Nxënësit dhe mësuesit e Ukrainës dëshirojnë të mësojnë në paqe dhe jo mes tmerrit e tragjedive të luftës!”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Duke shprehur vlerësimet e saj për shkollën dhe mësuesit, Nikolla nënvizoi se “Asnjë institucion nuk i ka shërbyer Shqipërisë më shumë sesa arsimi, shkolla dhe mësuesit, me dijet, largpamësinë, përkushtimin, shpesh edhe vetëmohimin. Asnjë figurë profesionale nuk ka mundur të meritojë titullin e nderuar të misionarit, siç e kanë merituar mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë. Asnjë institucion dhe asnjë profesionist nuk ka jetuar dhe nuk jeton njëkohësisht po aq sa me pulsin e problemeve të mëdha të shoqërisë, edhe me preokupimet e përditshme të familjes dhe njerëzve, sa shkolla dhe mësuesit. Asnjë institucion dhe asnjë profesionist nuk është skalitur në kujtesën e kombit dhe në kulturën kombëtare, sa shkolla dhe mësuesit. Këto të vërteta i ka përjetuar secili prej nesh, në jetën e vet. I kam jetuar edhe unë gjatë periudhës si nxënëse e studente dhe u jam thellësisht mirënjohëse mësueseve, mësuesve dhe pedagogëve të mi. Dijet, dashuria dhe përkushtimi i mësuesve janë frymëzimi më i madh në jetën time”.