Kryetarja e Kuvendit për reagimin e PD-së mbi anulimin e seancës plenare: Vijojnë sulmet jonjerëzore!
Ka reaguar zyra e shtypit e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, lidhur me deklaratën e grupit Parlamentar të PD-së për anulimin e seancës plenare, që ishte planifikuar për ditën e sotme.
“Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.
Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre.
Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional”, thuhet në reagim.