Kryetarja e LSI, Kryemadhi: Opozita, fituese më 25 prill edhe sikur votat t’i numërojë Taulant Balla
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaron se opozita do të dalë fituese nga zgjedhjet e 25 prillit, ndryshon apo nuk ndryshon kodi i ri zgjedhor i miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.
Në konferencën për gazetarët, Kryemadhi tha se opozita do të jetë fuqia fituese edhe nëse votat do ti numërojë Taulant Balla.
Ajo përshëndeti qëndrimin e një dite më parë të komisionerit të BE, ndërsa theksoi se reagimi i Ramës pas kërkesës së tij tregon frikën e tij nga zgjedhjet.
“Angazhimi i opozitës së bashkuar ka qenë përfshirja në Këshillin Politik, edhe pse i vështirë për shkak të sjelljes arrogante të mazhoramcës. Ne i qëndrojmë dakordësisë së 5 qershorit, që është një pikë që krijon një lloj garancie për ndërkombëtarët. Kjo tregon mungesën e besimit që ka Rama dhe grupi i tij për zgjedhjet e 25 prillit. Mirëpres kërkesën e komisionerit dhe shumë figurave të tjera të PE. kjo nuk do të thotë që puna e opozitës të mbetet thjesht deklarative. Beteja e opozitës është te kutia e votës te zgjedhjet e 25 prillit. Roli jonë është çfarë do të bëjë opozita pas 25 prillit që do të jetë fuqia më e madhe fituese. Kodi Zgjedhor është thjesht një taktikë elektorale që Rama do të çorientojë opinionin publik, është një nga taktikat elektorale që janë bërë demode. Edhe Taulant Balla ti numërojë votat e opozitës e ka të pamundur të ndryshojë rezultatin e 25 prillit“, ka thënë Kryemadhi në bashkëbisedimin me gazetarët.