Kthen ligjin për TVSH, Presidenti Meta: Favorizohen sektorë jo jetikë

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimin nnë ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar. Kreu i shtetit thekson se trajtimi fiskal i diferencuar që aplikon ky ligj, në thelb shkel parime e të drejta themelore kushtetuese. Po ashtu pohon se ligji favorizon disa subjekte duke i përjashtuar nga TVSH ndërkohë që sektorë të veçantë të ekonomisë me më shumë nevojë, diferencohen dhe mbahen në presion fiskal të diferencuar dhe jo proporcional. Sipas Metës përjashtimet nga zbatimi i regjimit ligjor fiskal, në mënyrë të diferencuar, rrezikojnë qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë për tatimin mbi vlerën e shtuar.

“Për subjektet që operojnë në fushën e turizmit argëtues, sportet ujore etj., nuk i është hequr përjashtimi nga TVSH për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtim, apo heqja e shkallës së reduktuar për aktivitete dhe sektorë të tjerë. Pra këto subjekte mbeten të favorizuara përmes përjashtimit nga TVSH.

Kjo do të thotë se, këto subjekte që operojnë në shitjen dhe tregtimin e mjeteve lundruese ngelen të favorizuara, ndërkohë që sektorë të veçantë të ekonomisë me më shumë nevojë, diferencohen dhe mbahen në presion fiskal të diferencuar dhe jo proporcional me nevojën që dikton mbështetja e tyre.

Ndërkohë që, në përjashtimet e veçanta në import për makineritë dhe pajisjet, kufiri përpara këtyre ndryshimeve ligjore ishte në një vlerë mbi 50 milionë lekë. Ndërsa me ndryshimet ligjore, kemi 10-fishim të vlerës së kufirit minimal mbi të cilën vihet në zbatim përjashtimi përmes këtij ligji. Rritja e këtij kufiri, penalizon dhe rëndon mbi subjekte që zhvillojnë aktivitetin në këtë fushë”, argumenton Presidenti.

SHKARKO APP