Kufiri detar me Greqinë, Panariti: Të mbrohet sovraniteti, jo negociata nëse nuk keni të qartë interesat
Greqia dhe Shqipëria firmosën në prill 2009 marrëveshjen për kufirin detar, ajo u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese një vit më vonë dhe që prej atëherë bisedimet mes dy vendeve për këtë çështje nuk kanë njohur përparim. Ish-ministri i LSI-së, Edmond Panariti përmes një facebook, thotë se qeveria nuk e ka të qartë se çfarë kërkon dhe se çfarë pret nga këto marrëveshje. Nga ana tjetër, ai këshillon që Shqipëria nuk mund të ulet të negociojë pa patur të qartë kush janë interesat dhe pretendimet e saj burimore për këto zona në ujërat territoriale.
Postimi i plotë
Çfarë kërkon dhe çfarë pret Shqipëria nga arritja e një marrëveshje për zonat ekskluzive ekonomike detare? Kjo është pyetja që shtrohet dhe ende nuk ka përgjigje! Sepse vendi vepron gjithnjë i ndodhur nën presion nga fqinjët më të fuqishëm dhe mban vetëm një pozicion mbrojtjeje. Sepse vendi nuk e ka të qartë se çfarë kërkon dhe se çfarë pret nga këto marrëveshje!
Nëse shihni marrëveshjet e arritura në Mesdhe për zonat ekskluzive ekonomike detare midis vendeve, palët fillimisht kanë bërë të qarta pretendimet e tyre në “zonat gri” për shfrytëzim të rezervave të naftës, gazit, burimeve të peshkimit etj. Më pas janë dakordësuar mbi metodologjinë që do të përdoret në “ndarje” dhe kompromiset që duhen arritur sipas parimit “fito-fito”.
Me të drejtë Këshilli i Ambasadorëve tërheq vëmendjen dhe kërkon angazhim shumë planësh teknik, diplomatik sa më parë. Ujërat po turbullohen në Mesdheun Lindor! Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje për zonat ekonomike detare të ujërave të tyre të gjendura nën presionin e memorandumit të nënshkruar midis Turqisë dhe Libisë në fund të vitit të shkuar për këtë qëllim.
Marrëveshja duket interesante për Shqipërinë për nga metodologjia e përdorur dhe duhet studiuar sa më parë!
Ky precedent mund të jetë me interes për të! Prandaj duhet studjuar dhe përshtatur me interesat tona sovrane.
Por Shqipëria nuk mund të ulet të negociojë pa patur të qartë kush janë interesat dhe pretendimet e saj burimore për këto zona në ujërat territoriale. Dhe këtu sigurisht nuk bëhet fjalë për metra kub ujë të kripur deti!