Kukan: I merzitur nga Kryeministri. Deklaratat e Ramës më nervozuan
Eurodeputeti Eduard Kukan ka qenë i drejpërdrejtë në reagimin e tij ndaj deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama që tha se Shqipëria e Kosova mund të bashkohen edhe në mënyrën tradicionale. I pyetur nga gazeta serbe Blic ai u shpreh se ato deklarata e kishin nervozuar. “Nuk më pëlqejnë deklarata të tilla”, është shprehur ai. Kryeministri Rama, në një intervistë për gazetarin Baton Haxhiu u shpreh se Shqipëria e Kosova mund të bashkoheshin në mënyrën tradicionale nëse nuk do të bashkoheshin në BE. Kjo deklaratë shqetësoi kancelaritë diplomatike në Tiranë. Ambasada amerikane la të kuptohet se kishte kërkuar sqarime nga qeveria dhe se kishte marrë garanci se deklaratat në fjalë synonin vetëm të theksonin rëndësinë që ka integrimi në BE për shumë vende të Ballkanit.